Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Tetor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Kjo e sotmja i dashur lexues është shumë më e rëndësishme se ajo që do të vije pas. Disa prej nesh mendojnë që të mbahesh fort na bën më të fortë por nganjëherë është më mirë vetëm ta lëshosh.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Sot duke ardhur prej rrethit me flamur në drejtim të katedrales, çdo 50 metra kishte tezga të vogla që po shisnin flamuj kuq e zi, plisa dhe kapela me simbole të UÇK-së, që për një minut pata ndjenjën se ishte pavarësia e vendeve tona.

Sot shqiptarët prej kudo janë nisur drejt sheshit “SKËNDERBEU” në Tiranë, për protestën kombëtare kundër mbajtjes së krerëve të UÇK-së në Hagë. Shkëlqim Hajdari, njëri prej organizatorëve të protestës, tha se ky shesh ku do të mbahet protesta tash e tutje do ta ketë emrin e kësaj vëllazërie.

Kjo pritet të jetë ndër protestat më të mëdha ndonjëherë në përkrahje të krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrje të qytetarëve, shoqërisë civile dhe figurave të njohura politike nga trojet shqiptare.

Dje Lëvizja Vetëvendosje u sigurua që ta rikujtoj se ka qenë kundër  themelimit të Gjykatës Speciale që nga fillimi dhe kërkoi që ata që kanë lobuar për krijimin e saj të shprehin pendesë duke përmendur konkretisht kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili sipas tyre kishte ardhur në Kosovë për të bindur deputetët ta votonin Gjykatën.

Natyrisht se Edi Rama nuk e kurseu nga përgjigja, teksa tha se nuk është në “asnjë garë me Vetëvendosjen” dhe se është keq që kjo lëvizje po ngatërron raportet Kosovë – Shqipëri me politikën lokale të zgjedhjeve komunale.

Ai shtoi se gjithmonë ka denoncuar padrejtësitë ndaj Thaçit e të tjerëve, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve të Vetëvendosjes i tha se ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë.

Rama u kujtoi se Gjykata Speciale u krijua për hetime mbi trafikun e organeve, jo për të ndëshkuar drejtuesit e UÇK-së.

Po sipas teje i dashur lexues, kjo ndërhyrje politike a e ka zbehur moton e protestës në përkrahje të UÇK-së në Tiranë?

Ndoshta nëse në piedestal do të vihej Kosova, e ardhmja e saj, dhe po të luftohet për historinë e luftës së saj, sot në protestën nga ora 17:00 prezent do të ishin edhe Kurti edhe Osmani dhe gjithë të tjerët që besojnë se fëmijët e tyre meritojnë të mësojnë për luftën e pastër të vendit të tyre.

Mos të harrojmë që cilido që të jetë vendimi i kësaj gjykate për krerët e UÇK-së do të vulosë edhe historinë e vendit tonë.

***
“Pas një vlerësimi të plotë, Komiteti vendosi unanimisht që Kosova të mos paraqes film për edicionin e ardhshëm, pasi propozimi i vetëm i pranuar nuk i plotëson standardet e konkurimit për garën e ‘Oscar’”, shkruhet në përgjigjet e Qendrës Kinematografike të Kosovës, për mungesën e sërishme të kandidatit për nominim për çmimin më të madh në kinematografi.
Njësoj kishte vendosur edhe në 2023-ën, e vitin e kaluar “kishte probleme me e-mail. Për një pjesë të kinematografëve vendorë, mungesa e qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë i bën një dëm të madh reputacionit të shtetit në botën e filmit.

***

Në një botë ku mund të jesh gjithçka, bëhu një person që jep vetëm dashuri.