Live Stories from Prishtina

LIVE

29 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Më pëlqen të shoh njerëzit teksa mbyllin sytë për të dëgjuar muzikë; duket sikur po përpiqen të ndjejnë çdo notë. Të bën të mendosh për gjithçka që kalojmë me vështirësi dhe se, me mbylljen e syve, sikur ndjejmë një lehtësim!

***

Çka e karakterizoi ditën e djeshme n’Kosovë?

Partitë politike në Kosovë bëjnë bujë me sloganet e tyre. Nganjëherë vërehet se janë ndikuar nga fushatat zgjedhore jashtë vendit, por edhe nga shprehjet që bëhen virale në rrjetet sociale… si PDK-ja këtë vit me shprehjen “Ka puls”. Një fjali virale nga formatet e reality shows, e cila nuk duket e përshtatshme për t’u përdorur në zgjedhje. Sido që të jetë… është virale dhe arrinë të kapë një masë.

Pak vonë, gati një javë para përfundimit, KQZ-ja më në fund e publikoi sloganin e saj. Vërehet që nuk janë nxituar… Mos vallë po presin një gjeneratë të re që të informohet prej tyre???

Slogani: “Vota jote për Kosovën 2025”!

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

***

A ka rënie të bastioneve në zgjedhjet e këtij viti? Kë e fiku PZAP-ja me dënimet që ka shqiptuar? Cilat janë dënimet e dhëna deri tani?

Disa u ndëshkuan për gjuhën e përdorur, e disa për çështje teknike.

Lista e gjobave:

  • LDK: 88 mijë euro
  • PDK: 70 mijë e 500 euro
  • VV: 47 mijë e 500 euro
  • AAK: 45 mijë e 700 euro
  • Koalicioni për Familjen: 11 mijë euro
  • Lista Serbe: 4 mijë euro

Tani shtrohet pyetja: si paguhen këto dënime? A mbulohen me të njëjtat fonde që KQZ-ja u ndan partive politike? Dhe a paguhen gjithmonë?

***

Nime, qato fonde që i pezulloj Trump-i, a ndikuan menjëherë a hala?

***

Në Prishtinë u hap Muzeu i Fëmijëve të Luftës: Fëmijët e mbijetuar ndajnë kujtimet e tyre.

Ky muze, ndryshe nga muzetë e tjerë të luftës në Kosovë, sjell një aspekt të cilit nuk i kemi kushtuar asnjëherë vëmendjen e duhur – rrëfimet e fëmijëve. Sikur për vite të tëra kemi qenë të përqëndruar te dëmet e shkaktuara, te nënat që prisnin lajme për fatin e fëmijëve të tyre të pagjetur, te familjarët që varrosnin baballarët dhe të afërmit. Por shumë rrallë, ose pothuajse asnjëherë, nuk kemi folur për atë që përjetuan vetë fëmijët gjatë luftës.

***

Sa bukur është kur njerëzit përreth teje dijnë ta dallojnë ndryshimin në zërin tënd, kur je i nervozuar apo i lumtur. Të jep shpresë për tragjedinë më të madhe të jetës: që gjithmonë do të ketë njerëz që na duan më shumë sesa ne e kuptojmë.