N’Kosovë / foto: Valdet Devaja
7 Korrik, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Thënja “të mbushësh së pari gotën tënde” nuk është një akt egoizmi, është një akt dashurie ndaj vetes dhe të tjerëve. Nuk do të thotë se nuk je aty për njerëzit që do, por se je aty më mirë, më i plotë dhe më i fuqishëm për njerëzit që do. Të kujdesesh për veten nuk është luks, është nevojë (më beso që nga kjo kam ende edhe vetë për të mësuar, po mësoj çdo ditë me ty lexues). Është mënyra e vetme për të dhënë dashuri të vërtetë, për të qenë i pranishëm pa u ndjerë i zbrazët. Kur e mbush veten me qetësi, kohë për reflektim dhe momente të vogla gëzimi, ti krijon një burim të brendshëm që mund të rrjedhë lirshëm edhe për të tjerët.
Çka ndodhi këtë fundjavë në Kosovë?
Zjarr nuk kemi marrë veç fizikisht por edhe në durim, zjarri e ka bo shkrumb edhe durimin tonë. Durimin që do të kemi funksionalitet normal.
Në Kosovë, vera e këtij viti po karakterizohet nga temperatura të larta dhe mungesë e plotë e reshjeve, çka ka ngritur alarmin për rrezikun e zjarreve dhe pasojat e mëdha për bujqësinë dhe ambientin.
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka njoftuar se aktualisht po përballen me dy vatra aktive zjarri në Gjurgjicë të Drenasit dhe në Balincë të Malishevës. Zjarrfikësit kanë arritur t’i lokalizojnë këto zjarre, por rreziku mbetet i lartë.
Policia e Kosovës ka iniciuar 58 raste penale për “zjarrvënie” vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit. Viti i kaluar përfundoi me 254 raste të tilla.
Ndërsa mungesa e reshjeve është fatkeqësi për misrin dhe kulturat e tjera pranverore, situata është e kundërt për kultivuesit e grurit.
Gjithashtu, nëse e krahasojmë me vitet e kaluara, situata është më alarmante. Qershori i këtij viti është shpallur nga Instituti Hidrometeorologjik si më i thati në 100 vitet e fundit, ndërsa lumenjtë kryesorë kanë rrjedha nën mesataren.
Pavarësisht ndalimit të zjarreve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe deklarimeve për kapacitete të ngritura, numri i madh i rasteve të përsëritura, si në Terpezë të Vitisë, tregon për mungesë të thellë në zbatim dhe parandalim. Askush nuk është arrestuar ende, edhe pse parku është djegur mbi dhjetë herë brenda dy javësh. Kjo flet për mungesë serioze të kontrollit, hetimit dhe ndëshkimit.
***
Sot është seanca 43-të për konstituim të Kuvendit, ngërçi i vazhdueshëm po ekspozon jo vetëm paaftësinë e spektrit politik për të ndërtuar marrëveshje, por edhe mosfunksionimin e normalizuar të institucioneve. Përdorimi i seancave të Kuvendit si arenë taktizimi dhe jo për vendimmarrje, shpërfaq nivelin e ulët të përgjegjësisë politike.
Dje e dëgjova në televizion në një prononcim politologun, Artan Muhaxhirin, i cili me të drejtë paralajmëron se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të vazhdojë të jap “kartë të bardhë” për bllokim. Nëse aktgjykimet mbesin të paqarta ose interpretohen politikisht, ato në fakt nxisin më shumë krizë se qartësi.
Poashtu, insistimi i partisë fituese se ka votat për qeverinë, ndërkohë që nuk arrinë të zgjedhë as kryetarin e Kuvendit, është kontradiktor. Kjo jo vetëm që minon besimin publik, por tregon se strategjitë janë ndërtuar më shumë mbi përceptim e propagandë sesa mbi llogaritje reale politike.
Në këtë situatë, është e domosdoshme qartësia institucionale dhe përgjegjësi politike – përndryshe, vendi do të futet në cikle të reja zgjedhjesh pa zgjidhje të vërtetë përpara.
***
Një ditë miku im, do ta kuptosh se gjithçka ndodhi në kohën e vet. Se edhe vonesat, pritjet, devijimet ishin pjesë e rrugës që të çonte aty ku duhej të ishe. Do kuptosh pse disa gjëra nuk funksionuan, pse disa dyer nuk u hapën dhe pse zemra jote tërhoqi frymë në ankth. Sepse koha ka një mençuri të vetën dhe jeta me gjithë misteret e saj ka një ritëm që shpesh kuptohet vetëm pasi kalon.