Live Stories from Prishtina

LIVE

4 Korrik, 2026

Përgjatë 250 viteve të historisë së Amerikës, ajo nuk ka eksportuar vetëm teknologji, filma apo muzikë, ka ndërtuar një kulturë ushqimore që ka ndryshuar mënyrën se si ha e gjithë bota.

Ani pse prej kulturave të gatimit nuk ishte e para, shumë pijata amerikanëve iu prezantuan nga talenti i imigrantëve pot ajo ka ndërtuar diçka që sot gjithë e duan,

Shumë prej ushqimeve që sot i konsiderojmë pjesë të përditshmërisë sonë kanë lindur ose janë zhvilluar në Shtetet e Bashkuara. Pas tyre fshihen histori emigrantësh, inovacioni, kultura vendase dhe dëshira për ta bërë ushqimin më të qasshëm për të gjithë.

Pak njerëz e dinë se një nga recetat që ndihmoi kolonët amerikanë të mbijetonin ishte Johnnycake, një bukë e thjeshtë me miell misri, e mësuar nga popujt autoktonë amerikanë. Teknikat e tyre të kultivimit të misrit, fasules dhe kungullit, si edhe ruajtja e ushqimit me tymosje, u bënë themel i kuzhinës së hershme amerikane.

Një tjetër histori interesante lidhet me mac and cheese. Shumë e konsiderojnë një pjatë tipike amerikane, por versioni që u bë i famshëm në SHBA u soll në fund të shekullit XVIII nga Thomas Jefferson pas udhëtimit të tij në Francë. Kuzhinieri i tij, James Hemings, një nga shefat më të talentuar të kohës, e shndërroi këtë recetë në një simbol të kuzhinës amerikane.

Amerika ishte gjithashtu vendi ku u botua libri i parë i gatimit i shkruar nga një autore amerikane për amerikanët. Në vitin 1796, Amelia Simmons publikoi “American Cookery”, ku për herë të parë u përfshinë receta si byreku me kungull dhe salca e boronicës – pjata që sot lidhen ngushtë me festën e Falënderimeve.

Historia amerikane është edhe histori inovacioni. Në fillim të shekullit XIX u zhvillua konservimi industrial i ushqimit, ndërsa më vonë tregtia e akullit dhe vagonët frigoriferikë revolucionarizuan transportin e mishit, qumështit dhe produkteve të freskëta. Këto shpikje ndryshuan mënyrën se si ushqimi prodhohej dhe shpërndahej në mbarë botën.

Në vitin 1928, një shpikje që dukej e thjeshtë ndryshoi zakonet e mëngjesit: buka e prerë në feta. Aq revolucionare ishte, sa lindi shprehja angleze “the best thing since sliced bread”, e përdorur edhe sot për të përshkruar një ide apo shpikje të jashtëzakonshme.

Pas Luftës së Dytë Botërore, përparimet në teknologjinë ushqimore sollën produkte që sot njihen në çdo cep të globit. Cheetos, të krijuara në vitet 1940, ishin rezultat i përdorimit të pluhurit të djathit që kishte mbetur nga prodhimi ushtarak. Vetëm pak vite më vonë, në vitin 1955, një restorant i vogël i quajtur McDonald’s do të revolucionarizonte industrinë e ushqimit të shpejtë, duke vendosur standarde që u kopjuan në të gjithë botën.

Por ndoshta fuqia më e madhe e Amerikës nuk ka qenë shpikja e recetave të reja, por aftësia për të bashkuar kulturat. Emigrantë nga Italia sollën picën, nga Gjermania hot dog-un, nga Kina gatimet kinezo-amerikane, nga Meksika tacot, ndërsa komunitete nga Lindja e Mesme, Azia dhe Evropa pasuruan vazhdimisht tryezën amerikane. Amerika i përqafoi këto tradita dhe i shndërroi në një kulturë kulinare që sot frymëzon botën.

Edhe në Kosovë, shumë prej këtyre ushqimeve janë bërë pjesë e jetës sonë. Hamburgerët, patatet e skuqura, donutët, brownies, pancakes, cookies, cheesecake, milkshake, barbecue apo kultura e kafeneve moderne janë tashmë pjesë e përditshmërisë sonë.

Në këtë 4 Korrik, ia vlen të kujtojmë se historia e Amerikës nuk është shkruar vetëm në libra apo në ngjarje politike. Një pjesë e saj është shkruar edhe në kuzhinë. Në çdo recetë që ka udhëtuar përtej oqeanit, në çdo ide që ka ndryshuar mënyrën si hamë dhe në çdo tryezë ku kultura të ndryshme janë bashkuar në një shije të vetme.

Gëzuar 4 Korrikun dhe faleminderit Amerikë, jo vetëm për inovacionin dhe lirinë që frymëzon miliona njerëz, por edhe për shijet që kanë gjetur vend në tryezat tona dhe kanë bërë botën pak më të pasur, një kafshatë pas tjetrës.