Dje n’Kosovë / foto: My Prishtina (@flakonzharku)
2 Korrik, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, mund ta marr me mend se ti je shumë i/e fortë, shumë i/e ndjeshëm/me, shumë i/e guximshëm/me, me shumë frikë brenda teje, shumë melankolik/e, shumë këmbëngulës/e, person që i lejon gjërat të rrjedhin vet apo edhe që ka qejf t’i mbaj nën kontroll, person që nervozohet lehtë, që fal shumë, që kërkon falje, mund t’i kesh të gjitha apo vetëm disa por një gjë është shumë e sigurt… gjithmonë do mbetesh lexuesi jonë i/e dashur, i/e preferuar <3
Ja çka ndodhi dje në Kosovë?
Nga 1 korriku, paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro bruto.
Qeveria e ka prezantuar këtë si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e mirëqenies së rreth 150 mijë punëtorëve të sektorit privat, duke theksuar se paga minimale është trefishuar krahasuar me periudhën kur për më shumë se një dekadë kishte mbetur në 130 dhe 170 euro.
Por, nëse ky është një lajm i mirë, raporti i fundit i Bankës Qendrore e sjell menjëherë përballjen me realitetit. Sipas BQK-së, gjatë vitit 2026 ekonomia pritet të rritet me vetëm 3.5 për qind, ndërsa inflacioni mesatar mund të arrijë në 6.7 për qind.
Praktikisht, në të njëjtën ditë kur qytetarëve u thuhet se do të marrin më shumë para, paralajmërohen edhe se ato para do të vlejnë më pak.
Në teori, paga minimale prej 500 eurosh duket si një fitore për punëtorët, por kur del në market me shportë në dorë e sheh që një qese me dy-tre artikuj brenda të bëhet 20 euro, e fatura e energjisë elektrike dhe shërbimet vazhdojnë të shtrenjtohen.
Vetë BQK-ja e pranon se presionet inflacioniste do të vazhdojnë të ndikohen nga zhvillimet globale, importi dhe kostot e energjisë.
Një tjetër pikëpyetje është nëse kjo pagë do të zbatohet për të gjithë. Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat thotë se shumë kompani që kanë kontrata me institucionet publike nuk kanë zbatuar ende as pagën minimale prej 425 eurosh.
Inspektorati Qendror i Punës e pranon se sektorët e pastrimit dhe të sigurisë fizike mbeten më problematikët për respektimin e vendimit, ndonëse paralajmëron kontrolle dhe masa ndëshkuese.
E debati nuk është vetëm nëse 500 euro janë të mjaftueshme, por nëse një pjesë e punëtorëve do t’i marrin fare ato 500 euro.
A u pasurua punëtori, apo vetëm u rrit shifra në kontratë?
Mos të harrojmë se:
Sipas një raporti të GAP-it nga viti 2011 deri në vitin 2023, paga minimale bruto në Kosovë ishte e pandryshuar për një periudhë 12-vjeçare.
Gjatë kësaj kohe, për punëtorët nën moshën 35 vjeç paga minimale bruto ishte 130 euro, ndërsa për ata mbi 35 vjeç ishte 170 euro.
Sipas raportit, ky dallim i bazuar në moshë u eliminua në vitin 2023, kur paga minimale u unifikua në 264 euro bruto për të gjithë punëtorët.
Që nga viti 2023, paga minimale ka shënuar rritje të vazhdueshme.

