Dje n’Kosovë
5 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, më e bukura e njerëzimit është kur ndihemi paqare dhe strehën e vetme e gjejmë te lutja. Sot uroj që jeta të të dhurojë një mijë arsye për të qeshur. Uroj që kujtimet e dhimbjes të zbehen ngadalë, si një ëndërr që humbet në mëngjesin e butë. Lutem që lotët e radhës të mos jenë më nga dhimbja, por nga emocionet e bukura.
***
Pritet seanca e 27-të për formimin e Kuvendit – ende pa marrëveshje
Sot pritet të mbahet seanca e 27-të me radhë për përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deri më tani, asnjëra nga përpjekjet nuk ka rezultuar me sukses për shkak të mungesës së konsensusit për ndarjen e posteve kyçe.
Qytetarët vazhdojnë të presin një epilog institucional, ndërsa numri i seancave të dështuara tashmë ka hyrë në histori.
Kur numri i përpjekjeve kalon numrin e javëve në një sezon pranveror, diçka nuk është duke funksionuar si duhet.
***
Prishtina firmos për efikasitet energjetik në ndërtesat publike
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një marrëveshje për përmirësimin e efikasitetit të energjisë në objekte publike si shkolla, çerdhe dhe administratë. Projekti përfshin ndriçim LED, izolim termik, dritare të reja dhe sisteme të mençura të ngrohjes dhe ftohjes. Ky hap pritet të ulë kostot e energjisë dhe të rrisë komoditetin në institucionet publike.
Ky është një nga ato raste kur “mos e fik dritën kot” kthehet në politikë publike dhe jo thjesht këshillë prej nanës.
***
Gjykata Supreme e thotë fjalën: faturat e mbeturinave paguhen te KRM Pastrimi
Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj zbatimit të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave.
Me një vendim të ri, Gjykata Supreme ka vulosur që qytetarët janë të detyruar t’i paguajnë faturat e mbeturinave te KRM Pastrimi.
Tashmë nuk mund të thuash që nuk e di kujt i takon ta marrë plehun është vendim gjyqësor, jo vetëm moral.
Me këtë, Gjykata rrëzon pretendimin e Komunës për ndërprerjen e efekteve juridike të rregullores derisa të vendoset meritorisht për padinë.
***
Paralajmërim për marrëveshje historike me SHBA-në në fushën e mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Kosova është pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo marrëveshje pritet të thellojë bashkëpunimin dypalësh në mbrojtje, në prodhimin e sistemeve të armatimit dhe municioneve, të sjellë trajnime, investime dhe mbështetje për modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në politikën kosovare, fjala “historike” është përdorur shumë, por kur përmendet SHBA-ja, çdo frazë merr peshë tjetër.
***
Qeveria shpenzoi 703.2 milionë euro në tre muajt e parë të vitit
Sipas të dhënave të publikuara, qeveria e Kosovës ka realizuar shpenzime në vlerë prej 703.2 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2025.
Kompensimi i punëtorëve përbën kategorinë më të madhe të shpenzimeve me 31% të totalit, pasuar nga kontributet sociale dhe përfitimet me 29%, konsumi i ndërmjetëm me 14%, dhe formimi i kapitalit bruto me 9%.
Pjesa më e madhe e këtyre fondeve ka shkuar për paga, subvencione, skema sociale dhe investime kapitale. Ky nivel i lartë i shpenzimeve është interpretuar nga njëra anë si aktivizim buxhetor, dhe nga ana tjetër si sfidë për menaxhimin fiskal në muajt në vijim.
Kur investon shumë në pak kohë, buxheti ngjan më shumë me një sprint sesa me një maratonë.
***
Miku im paemër, le të jetë çdo sfidë që e hasim gjatë ditës kujtesë për të gjithë që kurrë të mos i harrosh ata që të erdhën pranë me një dritë në dorë, kur unë/ti ishim në errësirë. Ata që nuk u përpoqën të na/më ndryshojnë, të na/më japin këshilla që nuk i kisha kërkuar, apo të na/më tregojnë rrugën që duhet të ndjekim. Ata që thjesht u ulën pranë teje/meje, në qetësi, pa fjalë të mëdha, pa zhurmë, pa gjykim – dhe qëndruan aty.