Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Prill, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

 

Lexues jemi çdo ditë bashkë por nuk jemi parë asnjëherë në të vërtetë, si një lloj letre mes Millenës dhe Kafkës (pa keqkuptuar, mes nesh qëndron dashuria platonike e informimit). Ndoshta nuk e dimë fytyrën e njëri-tjetrit, por e njohim mendjen, shqetësimet dhe kuriozitetin. Fjalët janë ura jonë ndonjëherë të buta, ndonjëherë të ngarkuara por gjithmonë të sinqerta.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Në votimin e së martës, opozita e deritashme e fitoi argumentin në ditën e parë të mbledhjes së Kuvendit dhe arriti ta bllokonte konstituimin e tij duke u mbështetur në Ligjin për Qeverinë.

Me llogaritjen: 48 deputetë të tyre (pra të VV-së), 3 të Nismës që bëjnë 51, plus votat e grupit joshumicë – 11 pa Listën Serbe, largo Adem Hodiçin që është më i afërt me Listën Serbe – bëhen 61. Pra, Kurti dje është nisë me bo edhe qeverinë, jashtë faktit që nuk ju dha mundësia t’i kalojë as çështjet procedurale, për të cilat i pati 52 vota. Ku mbetën 9 votat tjera, përjashto Emilja Rexhepin, e cila ja votoi procedurat? Përmes mesazheve që u panë në media ndërmjet deputetëve, u pa që Kurti ka lënë bisedë të hapur me të gjithë… edhe me Listën Serbe.

Andaj edhe të nëntit nuk ia votuan raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. PDK-ja, me kryetar Memli Krasniqin, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues. Anëtari i Komisionit nga LDK-ja, Armend Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit, pasi “nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje e ka dorëzuar letrën e dorëheqjes te kreu aktual i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kabinetin qeveritar. Në letër thuhet se Kurti dha dorëheqje me ministrat për të bërë betimin si deputetë të Kuvendit, ani pse më vonë në rrjete sociale doli letra për mbledhje të qeverisë për të mërkurën (pra sot). A nuk dihet botërisht që kur jep dorëheqje nuk mundesh me ushtru detyrën prap a?

***

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se letra e dorëzuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes.

IKD ka theksuar vazhdimisht se, në frymën e funksionimit të institucioneve, dispozitat kushtetuese dhe ligjore në këtë situatë duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputetë”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Sipas IKD-së, kryeministri duhet të japë dorëheqje në momentin e betimit si deputet.
“Nga ky moment, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri në dorëheqje, por nuk mund të udhëhiqet nga z. Kurti. Udhëheqja në këtë rast kalon te zv/kryeministri i Qeverisë në detyrë dhe postet ministrore udhëhiqen nga zv/ministrat (në rastin tonë, te Besnik Bislimi).

***

Kryesuesi i Kuvendit dje, Avni Dehari, tha se tash i mbetet presidentes të vazhdojë me procedurat e mëtutjeshme. Ligjërisht, presidentja e ka kryer pjesën e saj, por i takon Kuvendit që këtë seancë të “pezulluar” ta thërrasë përsëri jo më larg se brenda 48 orëve (pra nga dje). Tash, sa “pazari” do të bëhet për këto orë e për bisedat e mbetura n’gjysmë, mbetet të shihet!

***

Më 14 prill, në Teatrin Kombëtar, është shfaqur si mysafire për herë të parë “Menaxheria e Qelqtë” nga Tennessee Williams. Historia sjellë një dramë emocionale që trajton ëndrrat, kujtesën dhe arratisjen. Rrëfimi e ndjek Tom Wingfieldin, një të ri që përpiqet me shpëtu nga jeta e mbyllur me nënën e tij të pikëlluar dhe motrën Laurën, e cila strehohet në botën e figurinave prej qelqi.
Regjia: Ilir Bokshi, ndërsa luajnë: Irena Aliu, Eshref Durmishi, Qendresa Kajtazi, Mehmet Preteni.

***

Kur je fjetur dhe dikush të mbulon me batanije, kur dikush qesh me ty në telefon, kur dikush vrapon të të përqafojë, kur dikush që nuk e ke parë kaherë i kujtohesh ende dhe të telefonon vetëm për ta dëgjuar zërin >>>

…kjo është bukuria e momenteve të vogla.