N’Kosovë / photo: visit-tirana
27 Maj, 2026
Myslimanët në mbarë botën festojnë sot Kurban Bajramin.
Përderisa ata festojnë Bajramin dy herë në vit, Kurban Bajrami është i dyti nga këto dy festa.
Ai zhvillohet pak më shumë se dy muaj pas Fitër Bajramit dhe zakonisht konsiderohet si festa më e shenjtë nga të dyja.
Kurban Bajrami fillon në ditën e 10-të të muajit Dhul-Hixhe, i cili është muaji i fundit i kalendarit islam. Ai zhvillohet gjatë Haxhit, pelegrinazhit islam në Mekë të Arabisë Saudite.
Kurban Bajrami zakonisht zgjat nga tre deri në katër ditë. Datat e festës ndryshojnë çdo vit sepse kalendari islam bazohet në hënën.
Kurban Bajrami do të thotë “festa e sakrificës”. Festa kujton historinë e profetit Ibrahim, i cili ishte i gatshëm t’i bindej Allahut kur iu kërkua të sakrifikonte djalin e tij.
Myslimanët besojnë se Zoti (Allahu) e ndaloi Ibrahimin para se të ndodhte sakrifica dhe siguroi një dash për ta flijuar në vend të tij.
Si festohet Kurban Bajrami?
Festimi zakonisht fillon me shkuarjen në xhami për faljet e veçanta të Bajramit në mëngjes.
Besimtarët veshin rrobat më të mira dhe falënderojnë Allahun për të gjitha begatitë që kanë marrë.
Është zakon që njerëzit t’i urojnë njëri-tjetrit “Eid Mubarak”, që do të thotë “Bajram i bekuar”.
Fëmijët marrin dhurata dhe kjo është gjithashtu festa ku vizitohen familjarët dhe miqtë.
Shumë myslimanë e shënojnë Kurban Bajramin duke organizuar therrjen e një kafshe, si dhi, dele, lopë apo deve.
Disa familje e kryejnë vet këtë ritual, ndërsa të tjera dhurojnë para për bamirësi ose organizata të besueshme që organizojnë therrjen dhe shpërndarjen e mishit në emrin e tyre.
Një pjesë e madhe e mishit tradicionalisht u jepet njerëzve në nevojë.
Kjo praktikë shpesh quhet therrja e Kurbanit.
Myslimanët gjithashtu japin para për bamirësi në mënyrë që edhe myslimanët që kanë më pak mundësi ekonomike të mund ta festojnë Bajramin.
Çfarë është Haxhi?
Haxhi është pelegrinazhi vjetor që myslimanët bëjnë në qytetin e shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite.
Çdo vit, miliona myslimanë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt Mekës për Haxh, i cili është një nga Pesë Shtyllat e Islamit.
Myslimanët pritet ta bëjnë këtë udhëtim të paktën një herë në jetën e tyre, nëse janë fizikisht të aftë dhe kanë mundësi financiare për ta përballuar.
Haxhi zhvillohet gjatë muajit Dhul-Hixhe, i cili është muaji i fundit i kalendarit islam, Kurban Bajrami poashtu zhvillohet gjatë këtij muaji.
