Bota
20 Nëntor, 2026
E premtja duhet me qenë për lajme të mira dhe ju ku e kemi një të tillë.
Rezultatet premtuese të një studimi të vogël rrisin shpresat se kjo qasje e re mund të përdoret edhe për trajtimin e llojeve të tjera të kancerit.
Një ilaç i ri kundër kancerit të pankreasit ka dhënë rezultate premtuese, duke treguar se mund të zgjasë mbijetesën e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje, e cila konsiderohet ndër format më vdekjeprurëse të kancerit.
Në një studim të vogël, ku morën pjesë 61 pacientë dhe që zgjati mesatarisht 18 muaj, ilaçi arriti të ndalonte rritjen e tumoreve te 90 për qind e pacientëve. Te më shumë se 60 për qind e tyre, tumoret u zvogëluan, ndërsa në 8 për qind të rasteve ato nuk mund të dalloheshin më përmes ekzaminimeve mjekësore.
Këto rezultate vijnë pas të dhënave inkurajuese të publikuara më herët gjatë këtij viti. Ato treguan se pacientët që përdorën ilaçin si tabletë të përditshme kishin një mbijetesë mesatare prej 13.2 muajsh, pra 6.5 muaj më shumë sesa pacientët që trajtoheshin me kimioterapi.
Ilaçi, i njohur me emrin Daraxonrasib, është zhvilluar nga kompania amerikane Revolution Medicines. Ai funksionon duke bllokuar veprimin e proteinave të mutuara, veçanërisht atyre të grupit KRAS, të cilat nxisin rritjen e tumoreve.
Rezultatet e fundit u prezantuan të enjten në një konferencë ndërkombëtare për kancerin në Barcelonë.
Wungki Park, onkolog në Memorial Sloan Kettering Cancer Center, i cili ishte i përfshirë në studim, tha se rezultatet krijojnë bazë të fortë për të vazhduar hulumtimin e këtij ilaçi si një mundësi për trajtimin fillestar të kancerit të pankreasit.
Sipas tij, ndjekja më e gjatë e pacientëve dhe përfshirja e një numri më të madh të tyre po tregojnë rezultate të rëndësishme, përfshirë zvogëlimin e ndjeshëm të tumoreve dhe kontrollin e qëndrueshëm të sëmundjes.
Kanceri i pankreasit konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm sepse në fazat e para shpesh nuk shfaq simptoma, ose shfaq shumë pak. Për këtë arsye, në shumë raste, sëmundja zbulohet vetëm pasi është përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit.
Ekspertët e kancerit i kanë vlerësuar rezultatet e ilaçit si një zhvillim të rëndësishëm, por theksojnë se ai ende nuk përbën një kurë përfundimtare dhe se nevojiten studime të tjera për të kuptuar plotësisht efektivitetin e tij.
Michelle Mitchell, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Cancer Research UK, i cilësoi rezultatet si përparimin më të madh të parë në dekada për pacientët me kancer të pankreasit.
Ajo shtoi se ky zbulim mund të hapë rrugën edhe për trajtimin e formave të tjera të kancerit që lidhen me mutacionet e gjenit KRAS.
Megjithatë, Mitchell theksoi se mbijetesa e pacientëve me kancer të pankreasit vazhdon të jetë shumë e ulët dhe se nevojiten hulumtime të mëtejshme për të parë se si ky ilaç mund të kombinohet me trajtime të tjera, në mënyrë që pacientëve t’u ofrohen shanset më të mira për të luftuar sëmundjen.
Zhvillimi i këtij ilaçi vjen në një kohë kur shkencëtarët po përballen me tendenca të ndryshme sa i përket sëmundjeve kancerogjene. Nga njëra anë, shkalla e mbijetesës pesëvjeçare për shumë lloje të kancerit është rritur ndjeshëm gjatë 50 viteve të fundit, falë parandalimit, përmirësimit të stilit të jetesës dhe zhvillimit të barnave të reja. Nga ana tjetër, është vërejtur rritje e rasteve të disa formave të kancerit te personat më të rinj.
