Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Shtator, 2024

Shkruan: Kujtim Fazliu

 

Si duhet të krijojmë vepra që mbesin? Një vepër ku stili i të shkruarit e vendos çdo moment të librit në një paralele me ndjenjën e asaj çka ndodh në jetën e vërtetë, duke lënë lexuesin e tij të uritur të vazhdoj në faqën tjetër.

Ja një tjetër sugjerim për librin e javës:

On the Road, novela e cila paraqet Amerikën e viteve të pesëdhjeta, një periudhë e pas Luftës së Dytë Botërore. Një kohë kur zhvillimi ekonomik solli ndryshime kulturore. Në ato vite të pas luftës, një grup shokësh/shkrimtarësh filluan të shkruajnë për mënyrën e re të jetesës dhe mendimit. Këta do të bëheshin pjesë e “Beat Generation”.

Ata do të përshkruanin një ëndërr amerikane ndryshe: seksi, droga, udhëtimet mistike, mëngjeset e panjohura do të bëheshin qendra e përshkrimeve të “Beat Generation”.

Jack Kerouac e shkroi On the Road brenda tri javëve, por shtatë vite udhëtimesh nëpër rrugët dhe qytetet e ndryshme amerikane rezultuan në përvojën e bollshme për të shkruar një nga novelat qendrore të “Beat Generation”. Lexuesi do ta kuptojë, përmes rreshtave të librit pothuajse autobiografik, shkëputjen nga idetë e vjetra dhe arritjen e një mendimi të ri amerikan.

Ëndrra Amerikane tashmë është një udhëtim poshtë e lart përmes Amerikës, pa ndonjë qëllim të caktuar apo destinacion. Përvojat personale, shoqërore, kulturore dhe përjetimet e ndryshme bëhen valuta apo pasuria e re, pas së cilës shoqëria/rinia moderne kishte filluar të vrapojë.

“It changed my life like it changed everyone else’s.”
Bob Dylan

“Më ndryshoi jetën, ashtu siç ua ndryshoi edhe të tjerëve.”
Bob Dylan

Titulli i librit “Road”-“Rruga” si metaforë:

Rruga në roman shërben si metaforë për vetë jetën. Personazhet lëvizin vazhdimisht nga një vend në tjetrin, duke përjetuar një sërë takimesh dhe aventurash. Titulli përfaqëson natyrën kalimtare të ekzistencës njerëzore dhe idenë se vetë udhëtimi është më i rëndësishëm se destinacioni. Rruga simbolizon lirinë, eksplorimin dhe ndjekjen e vazhdueshme të përvojave të reja.