Arkiva
11 Shtator, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Këto ditë me shi, janë kujtuesi më i mirë që jo gjithmonë kemi ditë me diell por nëse ia dalim të bëjmë vend edhe për ditë me vranësira aty qëndron madhështia e përshtatjes me atë çka na ofrohet.
***
Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë ia ka shqiptuar një dënim të ri prej 15 vjetësh burgim Salih Mustafë duke llogaritur këtu edhe kohën e kaluar në paraburgim. Edhe pak ditë bëhen katër vjet prej kur Mustafa është arrestuar, në shtator të 2020-së, po Mustafës i është ulur dënimi nga 22 në 15 vjet, por kush e kompenson dëmin emocional dhe psikologjik?
***
Kryeministri Albin Kurti të martën gjatë një vizite në veri ka thënë se kanë kryer të gjitha procedurat për hapjen e urës, ndërsa tani po presin QUINT-in dhe KFOR-in. Por misioni i NATO-s ka paralajmëruar se vendimi për hapjen e urës qendrore në Mitrovicë duhet të merret në dialog. Pse kryeministri Kurti po sillet sikur çdo gjë është në rregull? Dhe sikurse marrdhëniet tona me ndërkombëtarët janë të koordinuara? Sikur deri tash veprimet e qeverisë nuk u konsideruan si të njëanshme!!!
***
Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka refuzuar të japë hollësi për “tërheqjen” e letrës së ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, për moszbatim të Marrëveshjes për normalizim raportesh me Kosovën. Lexues i dashur, a ju duket sikur Lajcak-ut i shpëtoi nga goja deklarata për tërheqjen e letrës? Sepse nëse ky detaj do të ishte i vërtet deri tash që moti do të kishim dëgjuar për protesta në Serbi dhe sharje ndaj Bërnabiq për tradhëti kombëtare a po?
***
“Shota” ka marrë çmimin kryesor “Grand Premio” në festivalin ndërkombëtar të folklorit “Zamora Folk Festival” në Spanjë si dhe ka marrë mirënjohje speciale për koreografi. Sa mirë është kur feston edhe 60 vjetorin e krijimit si ansambël por edhe merre trofe në një vend kulturalisht të pasur si Spanja!
***
Shiu, nuk bie vetëm për ty lexues! Edhe nëse sjell mërzi brenda teje, kalo edhe këtë ditë si të ishte e vetmja me shi e këtij viti.