Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Shtator, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Vikendi nuk është aspak informues sa i përket zhvillimeve politike, shpesh më jep stres sa sipërfaqësisht janë të shkruara lajmet.

Por ja çka pat të shtunën në Kosovë:

***

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rritja ekonomike po vazhdon jashtë projeksioneve dhe masat tona të punësimit, mbështetja për bizneset dhe prodhuesit vendorë, qeverisja e mirë dhe stabiliteti institucional janë shtyllat tona të zhvillimit. Çka me premtimin e kësaj qeverie për bukë ma të lirë, vaj ma të lirë, qumësht ma te lirë, për sheqer ma të lirë? Pse u është dyfishu çmimi këtyre produkteve? A e ka mundësu kjo rritjen e buxhetit të Kosovës?

***

Për Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, tani është përgjegjësi e gjyqësorit të Serbisë që të ndërmarrë hapat e mëtejshëm pa vonesa, lidhur me grupin i cili dyshohet se para një viti kreu sulmin terrorist, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Kjo ambasadë ka mirëpritur edhe aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, ndaj 45 të dyshuarve për sulmin. Zakonisht numri i madh i të akuzuarve mund të shpie në zgjatje të procesit siç ndodh në gjykime të mëdha në Kosovë!

***

“Martesa” me tekst të mjeshtrit polak të dramës psikologjike dhe të absurdit, Witold Gombrowicz, ka zbarkuar në Prishtinë si kërkim i identitetit të njeriut. Shfaqja 90-minutëshe shpërfaq hipnotizimin e njeriut dhe artificialitetin e tij në sezonën e re të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Futet në një botë të marrë në skenat që mjegullohen bashkë me realitetin. 

***

Në një jetë shumë dinamike si kjo e jona, lejo që dita e shtunë të jetë vetëm për të pushuar. Është e tëra çfarë kemi nevojë nganjëherë.