Live Stories from Prishtina

LIVE

15 Nëntor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Mirëmëngjesi, lexues! Është e qartë se sot dimri ka ardhur tek dera, andaj më lejo të të ngroh zemrën me këtë mendim: Kur shikohesh në pasqyrë, bën mirë ta duash atë që sheh, sepse aty fillon gjithçka—dashuria që merr dhe dhuron për të tjerët, respekti që ke dhe jep për të tjerët.

Ja çfarë e veçoi ditën e djeshme në Kosovë:

Prishtinë***

Për pak javë, sheshi Xhorxh Bush do të marrë një pamje më ndryshe nga ajo e viteve paraprake për festat e fundvitit. Nëse ju ka rastisur të shikoni një video që po qarkullon në rrjet, ajo shfaq sheshin me shtëpiza të reja dhe një rregull të ri, ani pse ky ndryshim është kundërshtuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Si ndodh që, pavarësisht ligjit, zyrtarët e komunave ndihen të sigurtë për të vepruar sipas mendjes së tyre?

“Verë n’dimër” dhe “akull n’verë”—Komuna e Prishtinës vendosi t’ia japë hapësirën për shfrytëzim ndërmarrjes “Sport & Marketing”, e cila më pas ia dha një operatori ekonomik të quajtur “MOMO Caffe,” pronar i së cilës është Dekorim Sahiti.

A është kjo për të sjellur pak atmosferë të Zonës në Shesh, apo jo?

Përditshmëri-politikë***

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mori vendim që komunat e udhëhequra nga AAK-ja të hedhin poshtë doracakun. Ai tha: “Ç’është kjo ‘paçavure’?”

Dje edhe Prishtina ua bëri bllok doracakëve “seksual”.

Kosovë-Botë***

Deklaratat e gjeneralit Clark (i cili, si komandant suprem i NATO-s për Europë, udhëhoqi fushatën e bombardimeve ndaj caqeve serbe), se Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës dhe se e ardhmja e Vuçiqit është pa Kosovën, e nervozuan shumë Vuçiqin.

“Nuk e di pse ata që ai ka bërë, e bënë të ndihet krenar,” ka thënë Vuçiqi. Wow, a thua pse? Mos ndoshta e ka shpëtuar një popull të tërë prej spastrimit etnik, i nderuar?

Kulturë***

Nuk ndodh shpesh të rekomandohen ngjarje kulturore në Obiliq, por dje, më 14 nëntor, është mbajtur shfaqja e Baletit Kombëtar në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq. Performanca “Terminal”, sipas organizatorëve, ka qenë “një produksion baleti transformues që eksploron kompleksitetet e psiqikës njerëzore përmes metaforës së udhëtimit. E vendosur në një sallë të konceptuar nisjeje, kjo shfaqje eksploron peisazhet tona të brendshme ndërsa përballemi me arsyet e udhëtimeve tona mendore përmes labirintit të mendimeve dhe emocioneve.”

***

BOTA, është një vend më i mirë për të jetuar sepse je ti pjesë e saj, i dashur lexues. Sepse ti shpesh lë vetën pas dorës për më të dashurit e tu, sepse ti dhuron dashuri pa kushte edhe kur nuk është kthyese, sepse ti puth duart e atyre që të japin dashuri. Mos harro, je TI.