Dje n’Kosovë
16 Nëntor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
A e di me çka dua ta nis ditën? Me pak humor që n’përditshmëri më mungon. Me një këngë të Arctic Monkeys “do i wanna know”. Me një kafe në një ambient me shumë dritë, e që koha e kafes më lejon t’kujtohem për çdo send të mirë që e posedoj përgjatë këtij momenti që vetë zgjedhi ta jetoj.
Ja, lexo çka ndodhi dje në Kosovë! Ndoshta edhe ti je duke na shoqëruar me kafe.
***
Presidentja Osmani, me qëndrim ndryshe nga institucionet rreth marrëveshjes së Brukselit, thotë se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm në këmbim të tri garancive ndërkombëtare. Cilat janë këto garanci? Njohje të reja, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe siguri!
Zonja presidente, si mund të arrihen këto garanci kur gjatë mandatit tuaj dhe atij të qeverisë nuk është arritur asnjë anëtarësim? Për më tepër, vazhdimisht kemi pasur marrëdhënie të ftohta e të nxehta me aleatin që na siguron mbështetje.
***
BE-ja nuk zotohet për heqjen e masave ndaj Kosovës para përfundimit të mandatit të Komisionit Evropian. A po punon Komisioni kundër vendimmarrjes?
Edhe pse një gjë e tillë nuk u pohua nga zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano.
“Përgjigja është sikurse herën e fundit. Çështja është duke u shqyrtuar në Këshill dhe do të vendoset nga vendet anëtare, pa marrë parasysh se kur do të nisin mandatin institucionet e reja.”
***
Sa po shpenzojnë partitë politike për fushata zgjedhore? A ka ndryshuar mënyra e promovimit për deputetët? Çka po ofron algoritmi? 10 mijë euro në rrjete sociale!!!
***
Me tender njëburimor, Kuvendi ka kontraktuar për shërbime të pastrimit dhe mirëmbajtjes kompaninë së cilës i skadoi kontrata të enjten. Ndryshe nga kontrata e kaluar, me të renë parashihet që punëtorët të paguhen minimumi 400 euro bruto. Për rritjen e pagës u mbajt edhe greva. Por, a do të rezultojë kjo grevë me largim nga puna për disa punëtorë, ashtu siç janë shprehur të shqetësuar ata???
***
Skena muzikore e Prishtinës është e pasur me ngjarje kulturore, veçanërisht me festivale që përqëndrohen në zhanre dhe instrumente të veçanta. Për jazz-in, një frymë unike sjell “Prishtina Jazz Festival”.
Mbrëmë (15 nëntor), në natën e dytë të festivalit, interpretuan “Trevor Dunn Solo”, “Titan to Tachyons” dhe “Taulant Mehmeti Quartet”. Më 16 nëntor do të interpretojnë “Erkand Morina Trio” dhe “Raynald Colom Band”, ndërsa një ditë më pas, në natën e katërt, jazz-in e sjellin “AT Duo” dhe “Kurt Rosenwinkel Trio”. Edicioni i sivjetmë mbyllet me “KosJazz”. Të gjitha koncertet mbahen në teatrin “Oda”.
***
Nëse edhe sot e ke ditë pune dhe ke pas vëshitërsi mu zgju prej krevatit ama prap je zgju, ti je vet heroi i vetes tande! Sepse edhe ata që kurdo të komentojnë nuk vinë dhe ta jetojnë jetën tande!