Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Nëntor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Viti 2024 është drejt përfundimit dhe kjo është çfarë kam mësuar deri tani: të pranoj situatat ashtu si janë; jo çdo veprim i të tjerëve kërkon reagim; largo çdo gjë që shterron energjinë dhe paqen tënde! Shpresoj të të hyjë në punë, lexues!

Ja çka e karakterizoi dje Kosovën:

Pushteti është tepër i ëmbël, me gjasë, dhe fuqia që ta jep duket se është e pamatshme. Pra, pse të mos organizohen tubimet “parapërgatitore”, meqë asgjë tjetër nuk duket të jetë me rëndësi tash? Ajo çka, me veprimet e tyre, partitë opozitare po mundohen të na tregojnë, por pa u marrë fare me politikat e jashtme – thjesht me disa pjesëmarrje në debate televizive 🤦🏻‍♂️ – është se: Duhet të jemi absolutisht më pro-Kosovë. Kaq!

Në anën tjetër, presidentes, pas katër viteve thatësi njohjesh e veprimesh, tash iu kujtua të zbatojë rolin e vet si përgjegjëse e politikës së jashtme. E pse tash, para fushatave, presidentja vjen me potencime të pakoordinuara me krerët e institucioneve të tjera të Kosovës? Prit, se harrova… plus pas zgjedhjeve amerikane? Por a bëri gjestin e duhur duke i dhënë këtë kuptim: ne mund ta zbatojmë marrëveshjen, por nuk po duam?!

S’e di si do të merret kjo deklaratë nga aleatët e Kosovës!

86,512 EURO për një udhëtim në SHBA nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, me zëvendësen e saj dhe stafin?! Në cilin hotel paskan qëndruar, more? Çka është ngrënë, çka është pirë?

***
Teatri Kombëtar i Kosovës është jofunksional.
Prej së hënës, aty nuk do të mbahet kurrfarë aktiviteti artistik. Festivali “Moisiu” po ashtu nuk do të mbahet. Krejt kjo, pasi stafi artistik dhe tekniko-artistik i këtij institucioni ka arritur në hapin e fundit sindikal – grevën e përgjithshme.
Aktorët e këtij institucioni tashmë janë në grevë dhe arsyet për këtë do të bëhen të ditura sot nga ora 13:00 në një konferencë për media.

I dashur lexues, nëse të ka ndodhur që të humbasësh në moment dhe të mos e kuptosh se cili është qëllimi yt në këtë jetë, dua të them që është krejt normale dhe në rregull. Jemi të gjithë së bashku në këtë cikël dhe më beso që kalon!