Dje n’Kosovë
13 Dhjetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Më fasionon ideja se me sa shumë njerëz kalojmë rrugët e njëjta çdo ditë dhe, në një moment, përnjëherë takohemi. Takohemi duke u prezantuar pa e ditur që çdo herë jemi takuar te semaforat, katedralja, rruga e Pejtonit, kudo ku ke kaluar edhe ti… ♥️
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Sportistë, këngëtarë dhe personazhe të tjera jashtë politikës janë ato që karakterizojnë listat e kandidatëve për kryeministër. Kush do të jetë zë i zëshëm nëse fitojnë artistët?
Në prag të zgjedhjeve, Vetëvendosje ka përjashtuar disa deputetë dhe ministra nga lista e kandidatëve për zgjedhje, si Besnik Bislimi. Ky veprim ka shkaktuar pakënaqësi brenda partisë dhe ka sjellë pyetje për qëndrueshmërinë e saj. Kritikat vijnë edhe për mungesën e grave në listën e kandidatëve, gjë që ka ngritur shqetësime për përfaqësimin gjinor në politikën kosovare.
Befasia në vendosje të numërave pas 20-ës së parë!!??
***
Skuadra profesionale të Kosovës dhe Shqipërisë çmontojnë një grup trafikantësh armësh
14 persona nga dy vendet u arrestuan në 9 destinacione të ndryshme. Grupi nisi të hetohej në muajin prill, kur dy të dyshuar u arrestuan në kufi me Serbinë.
A po ngrihen barriera të forta kundër krimit dhe kërcënimeve që vijnë prej tij?
***
Presidentja e vendit zhvillon takime në Uashington
Osmani po angazhohet për të forcuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimin me SHBA-në dhe BE-në.
Në anën tjetër, ftesa e Prokurorisë Speciale për Kryeministrin Kurti ka ngritur aludime se bëhet fjalë për dëshmi në rastin e rezervave shtetërore. Kryeministri Albin Kurti nuk ka treguar të enjten nëse do t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në një rast që lidhet me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pasi mori pjesë në lansimin e “Projektit për forcim të qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje.
“Jam me nxitim njëherë sot.”
***Kulturë
Kori i Filharmonisë së Kosovës përmbyll vitin në Prishtinë
Kori i Filharmonisë së Kosovës e ka përmbyllur vitin para publikut në Kosovë, por rrugëtimi i tij për këtë vit nuk përfundon këtu. Koncerti i së mërkurës mbrëma ishte një thurje veprash shqipe dhe botërore, të cilat nxjerrin në pah nivelin e dëshmuar tashmë të këtij institucioni. Ky koncert ka lënë jehonën e këtyre veprave në Prishtinë, por ka shërbyer edhe si prelud i koncertit në Lubjanë të Sllovenisë.
“Është shumë e rëndësishme të përfaqësohemi me një program të përgatitur në mënyrë perfekte,” ka thënë maestro Baki Jashari, dirigjent i koncertit. I tillë ka qenë edhe “testi” në kryeqytet.
***
Për mua, jeta është thjesht të jetosh.
Të kryqëzohen rrugët, të dashurosh dhe ta përqafosh atë plotësisht. Ti kënaqesh në bukurinë e dashurisë, duke refuzuar ta lëshosh derisa të venitet. Dhe kur përfundon, e lëshon. E ndjen dhimbjen. Jeton me atë dhimbje. Sepse të duash, në çfarëdo mënyre – pavarësisht si përfundon, pavarësisht si fillon – është një bekim.