N’Kosovë
28 Janar, 2025
Imagjinoni një fshat dikur të mbushur me jetë, zëra fëmijësh, dhe biseda pranë çezmës, që sot është mbuluar nga heshtja.
Ky është Sllupkova, fshati që shndërrohet në skenë kryesore të filmit të ri “Everybody calls Redjo”.
Me regji të Ibër Dearit dhe tekstin e përbashkët me Artin Selmanin, filmi vjen si një përzierje tronditëse mes humorit të hidhur dhe realitetit të ashpër të emigrimit dhe shpopullimit rural.
Në qendër të filmit qëndron Rexho, (e quan regjisori), një punëtor i vetëm, që bartë mbi supe barrën e të gjithë atyre që janë larguar.
Sllupkova, është një reflektim i braktisjes kolektive që po ndodh në shumë vende rurale.
Nga çdo dhjetë të rinj, tetë janë larguar, duke lënë prapa një zbrazëti për fshatin.
Filmi nuk ofron përgjigje të gatshme apo mesazhe të drejtpërdrejta, por është një fotografi e jetës që jetojmë sot.
Realiteti i një fshati të boshatisur si dhe fati i një punëtori që nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbijetojë.
Kjo qasje pa moralizim ka si synim të tregoj dhe jo të predikon, gjë që e bën filmin të prekë audiencën në mënyrë të ndjeshme dhe intime.
I financuar nga Agjencia e Filmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u përball me vonesa të shumta për shkak të pandemisë COVID-19.
Xhirimet përfunduan në gusht të vitit 2022, ndërsa faza e post produksionit, ka zgjatur dy vite.
Kasta e aktorëve në këtë projeksio filmik përfshinë aktorë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në film luajn: Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Ledion Mullaku, Adem Karaga, etj.
Kastingu, solli një natyralitet dhe energji që e bëjnë filmin të duket i gjallë.
Aktorët jo vetëm që përfaqësojnë personazhet, por edhe mishërojnë realitetin që ata tregojnë.
Filmi premierën botërore e pati më 22 janar në Shkup, por ky nuk është rrugëtimi i tij i vetëm.
Për adhuruesit e kinematografisë filmi do të nis të shfaqet nga 30 janari, edhe në kinematë e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Krejt e thirrin Rexhon” është më shumë se një film, është një pasqyrë e realitetit tonë të dhimbshëm.
Një histori për ata që ikën, ata që mbetën dhe ata që ende shpresojnë.
