Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Janar, 2025

A e dini çfarë janë glacieret?

Glacieret, ose akullnajat, janë masa akulli që krijohen kur bora grumbullohet dhe shtresohet për vite me radhë, duke u bërë aq e dendur sa fillon të lëvizë ngadalë. Nëse mendoni se këto mrekulli natyrore gjenden vetëm në vende si Alpet apo Himalajat, do të habiteni kur të mësoni se edhe Shqipëria fsheh disa glacierë të vegjël në zemër të Bjeshkëve të Nemuna.

Në majën e Jezercës (Jezerca është maja më e lartë në Alpet Dinarike, e dyta më e lartë në Shqipëri dhe e gjashta në Evropën Juglindore, me lartësi 2694 m mbi nivelin e detit. Është maja e 28-të malore më e spikatur në Evropë, dhe konsiderohet si një nga ngjitjet më të vështira dhe më të rrezikshme në Alpet Shqiptare), pranë Valbones, gjenden tre glacierë të vegjël që ka më shumë se 700 vite që ndodhen aty.

Ata nuk ndodhen në fund të cirkut, siç mund të prisni, por në një “tarracë” të lartë nën shkëmbinjtë e pjerrët 200-300 metra. Dy prej tyre, të titulluar në librin Glacier Evolution in a Changing World  Jezerce I dhe Jezerce II, kanë forma tipike të glacierëve të vegjël dhe nëse ka mjaft borë gjatë dimrit, bashkohen në një fushë të vetme bore.

Në vitet, kur temperaturat ngriten njëri prej tyre shpërbëhet në disa pjesë më të vogla.

Ndërsa Jezerce III, i vendosur në një tarracë tjetër më të lartë, është akullnaja më e madhe në Gadishullin Ballkanik, që në dimrat e acartë arrin madhësinë mbresëlënëse prej 5–7 hektarësh dhe trashësi mbi 10 metra.

Buni i Jezerces, cirku më i madh në rajon, strehon disa glacierë të tjerë interesantë. Jezerce IV, i vendosur në kënde të thepisura, ka një formë të çrregullt dhe mbulohet nga një morenë e vogël në fundin e tij.

Jezerce V, i pozicionuar mes majës së Jezercës dhe majës së Malsores, ka një formë klasike me pjesën e sipërme të rrumbullakosur dhe një “hundë” të zgjatur.

Në Majën e Hekurave, janë zbuluar gjithashtu pesë glacierë të vegjël. Njëri prej tyre, i njohur si “Glaciereti i madh”, ndodhet nën faqet shkëmbore të majës së Zhapores, me një formë trapezoidale dhe një morenë të madhe që dëshmon për përmasat e tij dikur të mëdha.

 

Harta e glacierëve.

Pavarësisht madhësisë se tyre krahasuar me glacierët e famshëm dhe pozicionit të tyre në një gjerësi gjeografike jugore, këto glacierë janë dëshmi e fuqisë së natyrës dhe një thesar i fshehur për të apasionuarit pas aventurave malore. Nëse një ditë do të vizitoni këto zona, ndoshta do të shihni me sytë tuaj këto mrekulli natyrore të Bjeshkëve të Nemuna. A nuk do të ishte kjo një histori për t’u treguar?

Në anën e majtë ndodhet Jezerca.

Ndërsa një studim i vitit 2010: https://www.manchester.ac.uk/about/news/glaciers-discovered-in-cursed-mountains-of-albania/

Ishte viti 2010, kur Dr. Philip Hughes dhe kolegët e tij nga Universiteti i Mançesterit identifikuar katër glacierë të vegjël në këtë zonë, një zbulim që tronditi komunitetin shkencor.

Këto glacierë (akullnaja) ishin të panjohur më parë për botën, përveç nga vendasit. Për shkak të izolimit të rajonit gjatë luftërave dhe mungesës së qasjes në dekadat e kaluara, këto fenomene natyrore mbetën jashtë radarit të shkencës moderne.

Glacierët në Bjeshkët e Nemuna mbijetojnë në sajë të reshjeve të borës së fortë dhe rënieve të ortekëve që akumulohen në depresione të thella dhe hije malore.

Më i madhi prej tyre është me madhësinë e gjashtë fushave të futbollit dhe ndryshon në sipërfaqe çdo vit, varësisht nga reshjet e borës gjatë dimrit dhe temperaturat e verës.

Hughes dhe ekipi i tij vlerësuan gjithashtu se gjatë shekullit të 19-të, në kulmin e Epokës së Vogël të Akullit, ka pasur të paktën tetë glacierë në malet përreth. Megjithatë, temperaturat e rritura dhe ndryshimet klimatike kanë reduktuar ndjeshëm numrin dhe madhësinë e tyre.

Zbulimet e tyre, të botuara fillimisht në revistën Arctic, Antarctic, and Alpine Research në vitin 2009, treguan se këto glacierë të vegjël janë tejet të rëndësishëm për të kuptuar historinë klimatike dhe ndryshimet mjedisore në këtë rajon.

Këto glacierë janë gjithashtu dëshmi e veçorive unike klimatike të Bjeshkëve të Nemuna, të cilat ndodhen në kufirin mes klimës mesdhetare dhe asaj kontinentale.