Dje n’Kosovë
1 Shkurt, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Shpresoj që të gjithë të gjejmë një karrierë që na emocionon dhe na bën të zgjohemi me gëzim çdo mëngjes, diçka që na përshtatet vërtet dhe na bën të ndihemi vetvetja. Dhe nëse ende nuk e ke gjetur, mos u shqetëso – jeta nuk është një garë. Merr kohën tënde, eksploro dhe beso se çdo hap po të çon më afër asaj që je i/e destinuar të bëhesh. Po ia del më mirë sesa mendon.
Çka e karakterizoi ditën e djeshme n’Kosovë?
Mirë që fushata ka hyrë në fazën e fundit. Pas një jave, do të dalim në votime.
Tri të katërtat e fushatës na sollën programe politike që në debate televizive nganjëherë dukej se “këtë e paskemi lënë mangu duhet ta rregullojmë”. Siç pritej që në fillim, shumica janë thjesht lista dëshirash dhe premtimesh që njerëzit duan të dëgjojnë, por që vështirë se mund të realizohen. Arsyeja? Shumë prej tyre nuk janë analizuar apo kalkuluar mirë para se të hidhen në letër.
Efekti te populli duket se është arritur: gjithçka është kthyer në tallje, ofendime, nënçmime dhe akuza. Dhe ata që e sjellin këtë efekt janë dënuar deri më tani me gjoba që arrijnë në 400 mijë euro.
Si një popull i dehur pas politikës, kemi harruar vetëiniciativat për protesta apo bojkot të çmimeve. Ushqimi ynë kryesor mbeten lajmet për politikën.
Në dhjetor, inflacioni në Eurozonë ishte 2.4%, duke treguar se kriza e para tre vjetëve (kur inflacioni arriti në 10.6%) është tejkaluar. Por edhe çmimet kanë kaluar çdo kufi normal…
Duke qenë se jemi në një treg të lirë, pse nuk shfaqet dikush i ri që pranon të fitojë më pak dhe të tërheqë blerësit e pakënaqur?
Ndërkohë, pezullimi i ndihmave përmes ambasadave amerikane dhe USAID-it, deri në 90 ditë për një rivlerësim nëse ato përputhen me politikën e administratës Trump, a ju ka bërë të kuptoni se sa shumë ndihma merr bota nga Amerika?
E di që jam i/e mirë, por pse vazhdoj të humbas? A nuk duhet të jetë mirësia një dritë që më udhëzon, e jo një flakë që më djeg? Nana thotë: “pa e lanë veten keq, mirë as nuk gjen as nuk bën”!
***