Dje n’Kosovë
2 Shkurt, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Një gjë di ta them: asnjëherë mos u sill në nervozizëm, përderisa nuk do të silleshe njësoj sikur kur je i/e qetë. Jeta është e mbushur me të papritura; jo për një ditë, por për një moment ndryshon. Ata që i do dhe të duan, kurrë nuk e dimë çka janë duke kaluar. Be kind!
Çka ndodhi dje n’Kosovë?
Mbrëmë vonë ndodhi një tragjedi në Jabllanicë të Gjakovës. Tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një objekti në këtë fshat.
Lajmin së pari e lexova në Koha, ku majori Milazim Lumi e kishte konfirmuar rastin pas mesnatës të së shtunës. Ai ka thënë se bëhet fjalë për shembjen e një objekti që s’ka qenë i banuar.
Ka thënë po ashtu se ka pasur përpjekje nga banorët e fshatit që të nxirren fëmijët, por kjo nuk është arritur dhe se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tyre.
Fëmijët janë të moshës 15 dhe 14 vjeç. Me ligj, nëse sot ose nesër shpallet ditë zie, aktivitetet e fushatës pezullohen.
Fati si i këtyre vogëlushëve mos i priftë askujt. Se çka ka ndodhur që janë gjendur aty, tash mbetet të kuptohet ose mbetet mister. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen prindërve dhe të afërmve.
Kurti: “Me ne në qeveri, kurrë ‘Zajednicë’.”
Paska thënë këtë në mes të Mitrovicës, tash e tri herë që po shkon prej hapjes së fushatës.
“Sot kushdo mund të shkojë, kurdo, andej Ibrit, për punë, për pushim, për qejf, në ditë të javës, në ditë të fundjavës, të rrijë, të kthehet e të rikthehet, e sidomos ju, të dashur qytetarë të Mitrovicës”, ka thënë Kurti në tubimin elektoral të organizuar në sheshin qendror të Mitrovicës. “Republika e Kosovës, me qeverinë tonë në udhëheqje, i thotë jo Zajednicës dhe po Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku tash e kemi edhe komunën veriore të Mitrovicës sonë të dashur.”
Gazetari Lirim Mehmeti paska publikuar një dokument: “Marrëveshja për pranim të fajësisë nga Ymer Dragusha, i bashkëakuzuari me Nagip Krasniqin për veprat penale në KEK – Dragusha ishte ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit.”
Dragusha akuzohej se, në bashkëkryerje me Nagip Krasniqin, i cili ishte kryeshef i KEK-ut, i kanë tejkaluar kompetencat e detyrave zyrtare.
Tejkalimi i kompetencës është bërë për t’i mundësuar përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S. A.”, në rastin e aktivitetit të prokurimit lidhur me “Riparimin Kapital të Kaldajës së Bllokut A5.”
Rasti ka marrë dhenë me dyshimin se në të janë të përfshirë Dejona Mihali, Artane Rizvanolli dhe Nagip Krasniqi.
I mbetet prokurorisë të na kthjellësojë!
Besoj se shumica e votuesve të Kosovës janë më të mençur sesa përfaqësuesit politikë që garojnë për vota. Prandaj, dilni në votime, por përdoreni votën me arsye.