Live Stories from Prishtina

LIVE

23 Shkurt, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi, lexues! Edhe këtë javë e mbylle si më mirë, kjo po që është e sigurt nëse je këtu dhe po na lexon. Një rikujtim ditor për ty: mos provo të kthehesh në fillim për të ndryshuar diçka; në vend të kësaj, mund të vazhdosh aty ku je dhe të ndryshosh mënyrën se si vepron tani.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Për ta përmbushur kuotën gjinore që e përcakton ligji, pesë kandidatë burra që janë votuar mjaftueshëm për deputetë do të duhet t’ua lirojnë pozitat grave bashkëpartiake. Kandidatet e Lëvizjes Vetëvendosje janë të vetmet që do të hyjnë në Kuvend me forca vetjake. Nga kuota përfitojnë dy kandidate të PDK-së, dy të LDK-së dhe një e koalicionit AAK-Nisma.

Për të aplikuar kuotën gjinore, në PDK mandatet i rrezikojnë Arben Mustafa dhe Bekim Haxhiu, të cilët do të zëvendësohen nga bashkëpartiaket Arbnore Salihu dhe Kosovare Murseli.

Në LDK, me rezultatet e deritanishme, kandidatët Sadri Berisha dhe Paris Guri duhet të zëvendësohen nga koleget e tyre gra, Serbeze Muçaj dhe Arjeta Abazi.

Ndërkaq, në koalicionin AAK-Nisma, kandidati i fundit, Vesel Krasniqi, i cili i përket partisë së Fatmir Limajt, duhet t’ia lëshojë vendin bashkëpartiakes Xhevahire Izmaku.

***
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është deklaruar pas shumë reagimesh në lidhje me një deklaratë të tij, ku kishte thënë: “Kosova sot po ndërton fabrikën e saj për të prodhuar municion, dhe Franca ende nuk e ka atë.”

Ai ka sqaruar se Franca është një nga prodhuesit kryesorë në botë.

“Unë asnjëherë nuk kam thënë se Franca nuk ka prodhime ushtarake. Patjetër që Franca është ndër prodhuesit kryesorë në botë për shumë sisteme ushtarake, pra për sisteme të armatimit. Ajo që kam thënë dhe po e ritheksoj është se ne jemi në fazën e funksionalizimit të fabrikës për prodhimin e municionit, ndërkohë që shumë vende të BE-së kanë ngecje në këtë aspekt, dhe në këtë rast, Franca është përmendur vetëm si një nga shembujt.”

***
Tirana ka organizuar Javën e Kulturës Kosovare, e cila ka filluar më 19.02 dhe mbyllet sot, më 23.02.2025. Qendra e njohur e artit alternativ, Tulla, ka shfaqur veprat e artistëve bashkëkohorë nga Kosova – KS#17 Showcase. Java e Kulturës Kosovare është mbështetur nga Bashkia Tiranë, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës.

***
I/e dashur, mos u frikëso të fillosh një shoqëri të re, një rutinë të re, një dashuri të re, një krijim të ri. Fillo diçka të re dhe filloje tani. Sot, pavarësisht nëse të kapin pikëpyetjet: Po nëse nuk ecën? — gjithmonë kujto se gjithçka ndryshon për mirë.