Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Mars, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Nuk jam e sigurt kush do ta dëgjojë, por mos hiq dorë nga vetja pavarësisht çdo gjëje. Uroj që dashuria që dhuron të kthehet dhjetëfish më shumë. Në këtë jetë, nuk ka versione të vjetra të vetes tënde që duhet t’u kthehesh. Jeta rrjedh përpara dhe jo mbrapa.

Çka ndodhi dje në Kosovë? Çka e karakterizoi ditën e djeshme?

***

Pas rreth pesë orësh mbledhje, dje kryesia e LDK-së doli me qëndrime që deri tani i ka pohuar disa herë.

Lumir Abdixhiku, edhe njëherë, ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me çdo parti, por kësaj here pa marrjen e postit të kryeministrit. S’është pak që s’kanë marrë zemër prej rezultateve pas votave të diasporës!

Nuk e di sa është etike të përsëritet situata e 2014-ës, kur LDK-ja kishte insistuar në postin e kryeministrit, të cilin edhe e mori, edhe pse nuk ishte partia fituese.

Në situata paszgjedhore, është më mirë të thuash “po, veç” sesa “jo, veç”, sepse, ndonëse rezultati mund të jetë i njëjtë, mënyra se si tingëllon bën dallim. Nuk mund të nisësh bisedimet politike duke thënë “jo”.

Populli, më 9 shkurt, ka vendosur që fillimisht mundësinë për të krijuar qeverinë t’ia dhurojë VV-së. Pas kësaj, me ligj, ia ofron mundësinë partisë së dytë fituese e pastaj Abdixhikut… e nëse Abdixhiku ka ndonjë ide që e di se i dhezë… “We can’t wait.”

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka filluar rinumërimi i 50 vendvotimeve, për shkak të mospërputhjeve që u konstatua të jenë gjetur.

Kjo, pasi një vendim i tillë u mor në mbledhjen e KQZ-së.

Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit, është hasur në mospërputhje mes numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve dhe numrit të fletëvotimeve brenda kutive të votimit të këtyre vendvotimeve.

Gjithashtu, KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime, për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate. Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë, ku është votuar më 9 shkurt 2025.

***

Rrëfime frymëzuese dhe ato për traditën e këtyre anëve do ta ndezin ekranin e “Environmental Film Festival” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet “DokuFestit”. Festivali ndërkombëtar i dokumentarëve dhe filmave të shkurtër merr pjesë në një program të veçantë, ku përfshihen tre filma nga Kosova si dhe një panel diskutimi. Prezantimi i kinematografisë, natyrës, programit të festivalit me nam që zhvillohet në Prizren dhe përdorimi i filmit në procesin edukativ janë vetëm disa nga temat dhe qëllimet.

***

Paqja jote është më e rëndësishme se rehatia e tyre. Dashuria që ti dhuron për të tjerët është reflektim i dashurisë që je i aftë t’i dhurosh vetes. Përqafoji të dyja butësisht dhe barabartë.