Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Nëntor, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

“T’ia mohosh njerëzve të drejtat e tyre njerëzore është të sfidosh vetë humanitetin e tyre.”- Nelson Mandela

Ata mungojnë në shoqëri, në qytet, në rrugë dhe në të gjitha ngjyrat tjera që e kompletojnë këtë vend, mirëpo ata janë përditshmëria jonë, janë personat që na mësuan ndjenjat që nuk i kemi njohur më parë – dashurinë pa kushte, përkujdesjen, përgjegjshmërinë dhe kujtimet e forta.

Për këto ndjenja, në katin e tretë të Grand Hotel Prishtinës, nga data 17 nëntor, do të shohim, dëgjojmë dhe ndjejmë historitë e personave me aftësi të kufizuara, përmes ekspozitës “Më lër brenda, më lër jashtë” (Let me in, let me out).

Me kurator Arbër Selmanin, ekspozita është një bërtimë e fuqishme, shpesh e ngjyrosur me një pëlhurë të empatisë, e personave me aftësi të kufizuara të cilët i mungojnë diskursit publik në Kosovë.

Ekspozita sjellë në vëmendje njerëz që guxojnë dhe tejkalojnë sfidat dhe pengesat që vijnë në rrugën e jetës. Përmes imazheve të forta që tregojnë për një realitet goditës: dikush që noton, dikush që punon në radio, pak më larg edhe dokumente që konfirmojnë një sëmundje, një gjendje.

“Më lër brenda, më lër jashtë”, është një ekspozitë e atyre që po ndajnë me neve mishërimet e tyre jetësore.

Selmani për Paper Blog ka treguar se kjo ekspozitë është krijim nga përjetimet personale.

“Ekspozita ka nisur prej një ngacmimi shumë personal, por flet më tutje se kaq. Personat me aftësi të kufizuara duhet të dëgjohen më shumë, të integrohen në shoqëri dhe të jenë pjesë e diskursit publik”, ka thënë ai.

Ekspozita ka tetë pjesëmarrës, duke filluar nga Shoqata “Autizmi”, Eloida Alija, Elvana Shala, Fjolla Muhaxhiri Agusholli, Arbenita Selmani, Genc Beqiri, Mentor Mripa dhe Medina Surdulli.

Nga të gjithë pjesëmarrësit Selmani ka ndarë ekskluzivisht për Paper Blog historitë e dy prej tyre.

Medina Surdulli. Ajo është një prej notareve më të mira në Kosovë, ka lindur më 8 korrik 1995, dhe sot punon në Shoqatën Down Syndrome Kosova. Medina është kampione e notit dhe është shpallur sportistja më e mirë për vitin 2012 nga Federata e Notit në Kosovë.

Dhe kjo është ëndrra të cilën Medina, guxoi ta ndjekë deri në realizim.

“Ëndrra ime filloi këtu. Familja ime më mësoi ta dua ujin. Menaxherja ime ishte e para që e vërejti talentin tim, ma hapi rrugën, më motivoi në realizimin e ëndrrave të mia. Përkushtimi dhe puna e saj e palodhshme bëri që sot ne të gjithë të ndihemi krenarë. Të dua Arjeta Dina. Edhe kur ka qenë ekipi i rraskapitur, unë kërkoja edhe një garë tjetër. Isha shumë e lumtur kur u nisa në Kampionatin Botëror në vitin 2012, ku flamuri im valoi mes flamujve të tjerë të botës. Shtegu numër 8 më solli fat! E zura vendin e tretë në një garë të cilën e kisha ëndërruar një natë më parë. Çmimet e mia janë thesari më i çmuar deri tani për ekipin tim dhe për vendin tim. Merita ka këtu edhe klubi ‘Termopan’ dhe Lulzim Zhdrella. A s’jam Ambasadore e denjë e Kosovës? Nuk i bashkohem asnjë ekipi tjetër përveç ekipit të Kosovës.”

Eloida Alija. Vajza simpatike nga Ferizaj, e cila sot punon si asistente e stomatologut Burim Buzhala, në këtë qytet. Ajo pëlqen të këndojë e të pikturojë dhe është 22 vjeç.

Historia e saj do të pasqyrohet përmes instalacioneve, të cilat nënkuptojnë arritjet e saj.

“Fustani është një kujtim nga sfilata e modës. Para disa viteve, pata marrë pjesë në një sfilatë mode, me një fustan të punuar nga kreatori Valdrin Sahiti. Kjo ditë shënon një moment të veçantë për mua, dhe është një prej atyre aktiviteteve shumë të veçanta në jetën time. Ky gjerdan (zingjir) është trashëgim nga gjyshja ime, e cila nuk jeton më, me të cilën kisha një lidhje të veçantë emocionale. Bluza është një simbol nga puna ime e parë si asistente e stomatologut, përmes së cilës punë po u tregoj njerëzve që edhe unë mund të punoj si të gjithë të tjerët.”

Ekspozita do të jetë e hapur për dy javë, çdo ditë nga ora 12:00-18:00. Arbëri është shkrimtar dhe moderator i emisionit “Qite n’Paper”, teksa ka qenë edhe kurator i ekspozitës “Pasqyrë. Plotni” me artiste Arlinda Hajrullahun.