Live Stories from Prishtina

LIVE

November 16, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Të gjithë i njohim ikonat e modës si Coco Chanel, Karl Lagerfeld, Christian Dior apo Gianni Versace, fama e të cilëve rrjedhë nga talenti i tyre rreth dizajnit dhe modës.

Sidoqoftë, nëse stili i tyre nuk do të kishte diçka të veçantë, a do të arrinin të ishin kaq të njohur?

Janë copëzat dhe detajet e vogla, të cilat i bëjnë të bukura rrobat, e sidomos kur ai detaj vazhdon të përsëritet në çdo koleksion të atij brendi, të cilat tashmë veçse e karakterizojnë brendin tuaj.

Brendi Versace është njohur ndër vite për modelet e saj inovative me printime simbolike të ndezura dhe përdorimin e kopsave ngjyrë ari në fustanet dhe kostumet e saj elegante. Në anën tjetër, Coco Chanel e bëri të famshme brendin Chanel për modelet e saj të përjetshme, pra kostumet me materialin e trashë dhe fustanet me ngjyrë të zezë e të shkurtra.

Duket se edhe stili i veçantë i stilistes shqiptare, Nensi Dojaka, po bën që ajo të zë një hapësirë në modën moderne. Dizajnerja e re shqiptare i referohet shumë estetikës së viteve të ’90-ta në dizajnet e saj, duke eksperimentuar me pëlhura të pastra dhe forma asimetrike (të çrregullta).

Stili i Nensit është shumë femëror dhe delikat, por me detaje shumë të theksuara në linjat trupore, të krijuara me qepje të lehta. Përdorimi i pëlhurave të tejdukshme për të krijuar shtresa dhe vazhdimi i linjave përmes këtyre shtresave krijojnë një ndjesi surreale në koleksion.

Nensi Dojaka e lansoi labelin e saj në vitin 2017, ndërsa kishte përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Arteve në Kolegjin e Modës në Londër. Në periudhën e studimeve master në Universitetin e Arteve në Central Saint Martins, Dojaka shfaqi koleksionin e saj të diplomimit, në vitin 2019. Ky koleksion përfshinte fustane me rripa, detaje të dekonstruktuara dhe panele të tejdukshme, të cilat e ndihmuan të përzgjedhej nga shitësit ndërkombëtar në internet si Ssense, me një etiketë gjigande “Nensi Dojaka had arrived”.

Një ndër indikatorët që vuri në pah bukurinë e koleksionit të Nensit ishte modelja me famë botërore Bella Hadid, kur u vesh nga koleksioni AW 20 i Dojakës në ceremoninë “VMA 2021”, paraqitje e cila i dha Nensit statusin e labelit të ri It girl.

Stili i Dojakës i referohet Helmut Lang, Ann Demeulemeester dhe Alessandro Dell’acqua si dizajnerët që ajo personalisht admiron. Në faqen e saj online, stilistja liston qëllimin e saj kryesor që labeli ka, pra “të ritheksoj imazhin e grave, duke treguar të dyja palët, cenueshmërinë, por kryesisht forcën që i karakterizon”.

Nëse keni fatin të shtoni një nga pjesët e Nensi Dojakës në gardërobën tuaj, brendin aktualisht mund ta gjeni në Ssense, H Lorenzo dhe Macondo.