Dje n’Kosovë / © Nita Meqa
9 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Në mes të pasigurisë, kaosit politik, trishtimit personal apo ndjenjës së zbrazëtisë ekzistenciale, jeta sërish na dhuron çaste të vogla gëzimi. Ato mund të jenë një mesazh i papritur nga një mik, një ditë me diell pas shumë ditëve gri, një moment mirëkuptimi me dikë që do dhe ndonëse janë të shkurtëra, këto çaste kanë peshën për të na mbajtur në këmbë.
Çka ndodhi dje n’Kosovë?
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë hapin e parë në lidhje me organizimin e një takimi gjithëpërfshirës për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik. Anëtarë të kabinetit të saj njoftuan se do të kontaktojnë partitë politike për t’u dakorduar për kohën e përshtatshme për organizim të takimit.
“Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti (dje publikisht PDK ka kërkuar takim që të gjendet zgjidhje për ngërçin) kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, tha këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
Nëse edhe me këtë takim nuk gjendet një zgjidhje, çka mbetet i dashur lexues? Ani pse presidentja nuk ka mandat për formim të organeve, nëse hiç, hiç nuk ka zgjedhje dhe konsensus me këta mandatar a kërkohet shpërndarja e Kuvendit?
***
Të largohet pragu për zgjedhje? Një alternativë që ishte propozuar edhe kaherë nga Hashim Thaçi, atëherë si kryetar i PDK-së, por që ishte kundërshtuar nga partia ORA.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e sheh si zgjidhje për të shmangur ngërçet politike në konstituim të institucioneve, heqjen e pragut zgjedhor prej 5 për qind për partitë parlamentare, ose uljen e tij në 1 apo 2 për qind.
Në “Interaktiv” të KTV-së, ai tha:
“Për të mos ndodhur ngërçi duhet hequr pragu. Të bëhet loja me më shumë aktorë. Kjo nuk e komplikon më tutje. Vijnë forca e individë të rinj. Jepet mundësi dhe Kuvendi bëhet më garues, më divers. Ngërçi jam i bindur se i takon historisë sepse s’ka kush t’i mbajë… t’i abuzojë”.
***
Pyesni ju, se çka ndodhi me kallximin penal të LDK-së ndaj LVV-së?
Ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së tij, të cilët janë zgjedhur deputetë, përfaqësues të Lidhjes Demokratike kanë dorëzuar të enjten kallëzime penal për keqpërdorim të detyrës dhe të autoritetit zyrtar. Zyrtarë të LDK-së, parti kjo që është ranguar e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë pretenduar se mbajtja njëkohshëm e detyrave në Qeveri dhe në Kuvend përbën shkelje të Ligjit për Qeverinë dhe shkelje të Kodit Penal.
***
Një Papë nga SHBA-ja!
Kardinali Robert Francis Prevost nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjedhur papa i 267-të në histori. 69-vjeçari nga Chicago është Papa i parë nga SHBA-ja. Ai do të njihet si Leo XIV.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Papa Leo XIV për zgjedhjen e tij si papë të enjten.
Derisa ka uruar në emër të popullit të Kosovës, ajo ka thënë se zëri i tij do të ketë peshë të madhe.
***
“Prishtina Parking” deri sot paska marrë në vete kompetenca që ma shumë i takojnë Policisë sesa një ndërmarrjeje publike komerciale?!!
Gjykata Supreme i ka shfuqizuar nëntë dispozita të Rregullores mbi të cilën funksionon ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, duke konstatuar se ajo ka ushtruar kompetenca në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën.
Të jashtëligjshme janë cilësuar edhe bllokimi i automjeteve dhe ndëshkimi i pronarëve. Kjo ka ndodhur pas padisë së deponuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Qe po i numëroj disa prej shfuqizimeve, ti lexues që ndonjëherë je dënuar mos u nervozo:
-“Prishtina Parking” nuk e ka asnjë kompetencë që të vendosë bllokada në vetura, duhet të marrë përgjegjësi për të gjitha dëmet eventuale që shkaktohen nga punonjësit e saj.
-nene diskriminuese konsiderohen edhe dispozitat që formën e pagesës e lejojnë vetëm nëpërmjet telefonit. Gjykata e ka obliguar Komunën e Prishtinës që ta mundësojë pagesën me para të gatshme.
-Pjesa e dispozitës që e lejon parkimin e vizitorëve në zonat rezidenciale vetëm nga ora 16:00 deri në 18:00, sipas Supremes e cenon lirinë për të pasur kontakte familjare, etj, etj.
***
E di që atë ndjesinë e përhershme të njeriut modern që, në një botë plot pritshmëri dhe modele, përpiqet vazhdimisht të kuptojë se kush është në të vërtetë, ndërsa ndjehet sikur provon identitete të ndryshme, nganjëherë jemi mozaik dhe është mirë të mësohemi të jetojmë me të.