Dje n’Kosovë
30 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, realiteti është që sa më shumë rrezik që merr, aq më shumë i hapë rrugë fatit tënd. Një rrezik i madh në ditë, sado i frikshëm, mund të ndryshojë të gjithë drejtimin e jetës sate. Trokit në derën e dikujt edhe nëse nuk je ftuar. Kërkoje shpërblimin që mendon se e meriton, jo me arrogancë, por me bindjen e atij që ka dhënë, që ka duruar dhe që tani është gati të marr. Sepse asgjë nuk vjen duke pritur, gjithçka fillon kur e vendos të lëvizësh.
Kur ti nuk e plotëson puzzle-in e fotos që do ta shohësh, dikush tjetër e plotëson në vendin tënd.
Një pjesë e hyrjeve kryesore për në Prishtinë janë bllokuar dje/të enjten për dy orë, si pjesë e protestës së përfaqësuesve të bizneseve kundër vendimit që i obligon të dalin në treg të hapur për furnizim me energji elektrike.
E dje, në debatet televizive që shpesh dinë me t’shku nerva, e pata një kurreshtje me ndjekë çka po thonë tamam përfaqësuesit e bizneseve, pak ma gjerësisht.
Ju nashta se keni pa, kështuqë shkurt po ua përmendi pikat kryesore që edhe e përmbledhin se pse kanë protestu dje e edhe pse kjo është e dëmshme për vetë neve, konsumatorët!
Kërkush nuk është kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Protustuesit/bizneset po kërkojnë një takim mes ZRrE-së, institucioneve dhe përfaqësuesve të bizneseve për të arritur një marrëveshje për shtyrjen e këtij vendimi, deri sa kompanitë të përgatiten. Tash jo me shku 10 muaj a një vit, deri sa të vijnë në një zgjedhje po të paktën t’i bëjnë analizat që sa kanë me pasë humbje.
Sipas rregullores aktuale, nga 1 qershori, fillon afati 60-ditor brenda të cilit, secila fabrikë duhet të zgjedhë vetë furnitorin e saj. Në të kundërt, në përfundim të këtij afati, rryma do t’u ndërpritet.
Përfaqësuesit e bizneseve ngritën edhe një shqetësim tjetër strategjik: çka ndodh nëse kompanitë nga vendet fqinje, të gatshme e të paduruara, e pushtojnë tregun e Kosovës me produkte me çmime të njëjta ose më të lira?
Nëse prodhuesit vendorë detyrohen të rrisin çmimin e produkteve për shkak të rritjes së çmimit të energjisë që sipas llogarive mund të rritet nga 65-70 euro për megavat orë që ka qenë e rregulluar deri sot në 260-270 euro atëherë produktet vendore do të humbin.
Rritja e çmimit të energjisë pritet të përkthehet në një rritje prej 50% në çmimin e produktit final.
Tash ai konsumatori a do të zgjedhë të blejë vajin e Kosovës që nga 1.50 euro mund të shkojë në 1.80, apo do të kthehet kah vaji i importuar nga Bosnja e Hercegovina që mbetet më i lirë?
Tregu i lirë është “fine” se në të ardhmen sjellë përmirësim, po pse me qenë vetëm një furnitor?!!!
E protesta ka nxitur edhe përplasje mes përfaqësuesve të Qeverisë në detyrë dhe atyre të partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë.
***
Nuk ka prodhuar rezultat as tentimi i 23-të për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit.
Në vazhdimin e seancës konstituive, të enjten, për të 15-ën herë, kryesuesi propozoi të formohet Komisioni për ta zhvilluar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Por, ngjashëm si deri më tash, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarë për komision dhe as nuk morën pjesë në votim për anëtarët e propozuar nga subjektet e tjera.
***
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka rritur praninë e forcave të saj ushtarake pranë kufirit me Kosovën.
Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë, dje, përveç asaj pjesës që “barrikadat jon kry me Milan Radoiçiqin” e ka quajtur Kurti ka shprehur bindjen se një veprim i tillë i Serbisë ka ndodhur, pasi që Kosova është zgjedhur që të jetë vend nikoqir i zhvillimit të ushtrimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), “Defender Europe 25”.
***