Live Stories from Prishtina

LIVE

31 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Nuk është kjo pikërisht ajo që kërkove lexues? Kërkove rritje dhe jeta të solli jorehati? Kërkove sukses dhe jeta të kërkoi sakrificë? Nuk mund t’i kesh të dyja: edhe rritje pa dhimbje, edhe arritje pa përpjekje. Mundësitë vijnë bashkë me përgjegjësi, e ambiciet me më pak kohë të lirë. Çdo zgjedhje ka një kosto. Nuk mund ta ndjekësh ëndrrën duke u kapur fort pas jetës së vjetër.

***

Qe çysh shkon një skenar i një njeriu të thjeshtë me të ardhura mesatarisht të mira që jeton në Kosovë… përderisa ti je iniciatori që këtë fundjavë me bo diçka ndryshe me t’shpisë, me qato të ardhura që i ke, sa me bo 3/4 herë lluks brenda muajit, e bën njëfarë hesapi, që kur të kthehesh për çka tjetër t’mbesin paret.

Njëherë për njëherë është fillimi i muajit, i ki do para që ende s’ti ka marrë kredia ose që s’i ke harxhu në atë paisjen që t’ka mbetë pikë muajin e kaluar. Plus në mendje i ki edhe ata tjerët… dikë prej shtpisë që edhe ai/ajo i ka do “t’majme” edhe të mbanë entuziazmi i shpërblimit të punës prej këtij muaji që shkoj.

Ama… Shqipëria, Mali i Zi e Greqia të kthehen përmbys kur e kujton që vendi yt ende s’ka institucione të reja prej kur kanë përfunduar zgjedhjet…

Jo pse tutesh që dikush që e ke votu s’po merr rol të mirë, se këtë pjesë veç e kemi tejkaluar, po se prej këtij fakti kanë humbur miliona euro, se ke besu kur kanë thanë “elektroserveri nuk duhet të pranohet kurrsesi”, e prap u pranua që ç’ke me të. Se kur ZRrE-ja tregoi për shtrenjtimin prej 16.1 për qind, tregoi që komunat në veri, nuk do të paguajnë më shtrenjtë se furnitori i tyre operon jashtë sistemit të furnizuesit me shërbim universal.

Se kur ty prej 1 qershorit, ajo kompania që e prodhon vajin, që ti e përdorë për me përgatit omletin në mëngjes, ta shtrenjton produktin, veç i pret edhe çmimet tjera me rend: “kush, tek, çka po rritet?”

Edhe në fund bie n’shok kur sheh që një ministër në detyrë po e planifikon angazhimin e 100 inspektorëve për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit nëpër kafene!!!

Pse s’po zbatohet një ligj që ja bon legjislaturës suaj “forget all”??

***

Tani në përfundim të javës, e sheh një lajm që Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, njeriu kryesor i tij per qeverisje, kompaninë e tij që ja paska lanë t’vllaut, Driton Dalipit, paska aplikuar në tenderin për licencë të shitjes së rrymës.

E Luani, i pyetur nga mediat, paska thanë “le ta provon vëllau fatin edhe në ketë biznes”.

Po more pse jo, po na mostër e provimeve jemi, kur ka ku… ose jo!

***

Gjermania i ka dëbuar 25 shtetas të Kosovës për shkak të qëndrimit të parregullt.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) ka njoftuar se kthimi i tyre është bërë më 25 maj.

***

Rikthimi i fruthit në Kosovë, i konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), me 23 raste të diagnostikuara në më pak se një muaj (nga 5 deri më 30 maj 2025), është veç një sinjal që tregon për mungesën në nivelin e vaksinimit, një problem që ka shqetësuar vazhdimisht vendet në zhvillim dhe rajonin në përgjithësi.

Vaksinohuni vëlla, mos na rrezikoni edhe ne tjerëve me këto sëmundje ngjitëse, që për disa që veçse janë në gjendje jo të mirë shëndetësore, taman puna me ua ngjit edhe fruthi, edhe një “dorë” që ua përkeqëson gjendjen.

***

Prishtinë moj vatër e muzikës klasike!!! Chopin Piano Fest përmbylli me sukses muajin maj me një mbrëmje të veçantë muzikore, në bashkëpunim me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Koncerti u mbajt mbrëmë, më 30 maj 2025, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke mbledhur dashamirës të muzikës klasike në një përjetim të rrallë artistik.

Nën drejtimin e dirigjentit sllovak, Peter Valentovič, publiku pati rastin të dëgjoj një nga veprat më të njohura të repertorit klasik Koncertin nr. 1 për piano dhe orkestër të Tchaikovsky-it, me soliste pianisten e njohur ndërkombëtarisht, Sofya Gulyak, e cila solli një interpretim plot ndjeshmëri dhe virtuozitet.

***

Madhështia ka çmim. Kështu, kur pesha bëhet e rëndë dhe kur sakrificat grumbullohen, kujtoje këtë: kjo nuk është ndëshkim është çmimi. Çmimi për të pasur më shumë, për të qenë më shumë dhe ti je ai/ajo që e zgjodhe këtë rrugë. Pranoje barrën si provë se je në lëvizje. Sepse asgjë që vlen, nuk vjen pa kosto.