Rreth e Rrotull
2 Qershor, 2025
Ata thjesht janë njerëz të cilët e kaluara e tyre i ka bërë ashtu si janë sot. Ndërsa gjuha e tyre di të jetë e njëjtë (mes një femre dhe një mashkulli), por edhe e ndryshme, ama kjo nuk do të thotë se mund të kategorizosh gjysmën e popullsisë në një mënyrë dhe gjysmën tjetër në një tjetër.
Kjo tregon qartë se autori John Gray në librin “Men Are from Mars, Women Are from Venus”, përshkrimin e tij e ka bazuar në observimet online.
Të hedhësh disa elemente bazë si dhembshuria, dëgjimi, etj., në një lëmsh këshillash tërheqëse dhe teknikash të thjeshta, pa u thelluar në asgjë tjetër përveç stereotipeve, është një recetë që sugjerohet vetëm në fast food.
Duke injoruar historinë e psikologjisë dhe gjendjet e brendshme njerëzore dhe duke u fokusuar vetëm në dallimin burrë/grua si variabël, ai arrin të servirë diçka të shpejtë, të ftohtë dhe vërtet të pashijshme. Nuk po e them nga mendjemadhësia – e kam lexuar librin dhe kam ardhur në përfundim se për ata që duan të punojnë në marrëdhënien e tyre vetëm me këshilla si “nëse jeni jashtë dhe asaj i ka marrë uria, ushqeje”, atëherë ky libër do të jetë i përkryer. Por për të tjerët që mendojmë edhe pak më thellë, ky libër i përket të njëjtit vend si ambalazhi i një hamburgeri.
Për çfarë flet libri, realisht?
John Gray niset nga një ide se burrat dhe gratë janë të ndryshëm, jo vetëm në natyrën biologjike, por edhe në mënyrën se si i qasen emocioneve, problemeve dhe ndërtimit të marrëdhënies. Për ta bërë këtë më të kapshme, ai i vendos ata në dy “planete” të ndryshëm: Marsin dhe Afërditën.
Burrat vijnë nga Marsi, një planet i veprimit, zgjidhjeve, tërheqjes për t’u reflektuar në vetvete. Kur përballen me stres apo sfida, priren të tërhiqen emocionalisht për të “rregulluar” situatën. Ata ndihen të vlerësuar kur u besohet përgjegjësia dhe kur puna e tyre shihet si e dobishme.
Gratë vijnë nga Afërdita, një planet i ndjeshmërisë, ndarjes emocionale, kujdesit të ndërsjellë. Kur përballen me vështirësi, ato kanë nevojë të flasin, të ndihen të dëgjuara dhe të kuptuara, pa ndërhyrje të menjëhershme me “zgjidhje”. Ato ndjejnë dashurinë kur ndjenja e tyre përjetohet bashkë me to, jo kur analizohet.
Sipas Gray, dallimi themelor sjell me vete shumë mosmarrëveshje në çift sepse secili mendon se po sillet siç duhet, pa kuptuar se si pritet të sillet në anën tjetër.
Nëse e sheh veten si grua apo burrë, në kuptimin klasik të fjalës, më tradicional, atëherë mund të gjesh kuptim në këtë libër. Nëse jo, më mirë mos e merr. Sepse zgjidhja për secilin problem në marrëdhënie varet nga vetë situata dhe karakteri yt. Të kërkosh që ky libër t’i japë zgjidhje perfekte lidhjes tënde, nuk do të ndodhë – dhe për këtë çështje, nuk ka libër në botë që mund ta bëjë.
Çka mund të nxjerrësh nga ky libër nëse e ke lexuar:
Mos u thello në pse janë të ndryshëm meshkujt dhe femrat për këtë duhet lexuar psikologji dhe shkencë.