Dje n’Kosovë / foto: pinterest
2 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Për çdo njeri që po përpiqet të rindërtojë jetën pas një periudhe të vështirë, po të them se ke treguar guxim më shumë se që mendon. Njerëzit nuk e dinë se sa fuqi kërkon të ngritesh çdo ditë, të përballesh me veten, të përballesh me mendimet që të lodhin, e prapëseprapë të zgjedhësh jetën. E ke bërë më parë. Do ta bësh edhe tani. Vazhdo përpara edhe ky kapitull do të bëhet dëshmi e forcës sate.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Çysh ndodhi që destinacion i ndejave të vikendeve u bë Tirana, e ja mori spotlight-in Prishtinës, të paktën për qershor?
Këtë vikend ra Tirana e la thatë Prishtinën, ku koncerti i Keinemusik e shndërroi metropolin shqiptar në pikën më të nxehtë të fundjavës. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale e bënë të qartë atmosferën, disa të kënaqur e disave ua kishte gërrditur koncerti radha e gjatë.
Për ata që mbetën në Kosovë, ju mbeti sporti me mbajt gjallë atmosferën. Finalja e FIFA Club World Cup mes Paris Saint-Germain dhe Interit u ndoq nëpër bare dhe tarraca, me ekrane të mëdha, fishkëllima goli dhe biseda që bëheshin më dinamike kur përzihej birra me politikë.
***
Sa e bezdisshme do të tregohesha nëse çdo ditë do t’ju përsëritja problemin më të madh që ka ky vend, si një papagall që kurrë nuk ndalet, SEPSE NUK DUA TA BËJ!
Se problemi më i madh me të cilin ballafaqohemi tash është rryma, sepse rregullatori ka vendosur t’i mbulojë shpenzimet astronomike të bartjes me rritje çmimi dhe se për këtë do të duhej të merrej në përgjegjësi. Por nuk mundet të merret në përgjegjësi, sepse nuk ka Kuvend – edhe pas 24 tentimeve, ani pse sot kemi tragjikomedinë e 25-të!
***
Në ditë feste, gëzimi e dhimbja ecin dorë për dore. Kushdo që gëzohet, ëndërron edhe për ata që i do pranë, apo që fati s’i la të takoheshin kurrë.
Të dielën, një ditë e mbushur me lodra, tullumbace dhe thirrje për të drejtat e fëmijëve, kujtesa kolektive e Kosovës kthehet atje ku ende dhemb, te fëmijët që nuk patën mundësi të festojnë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kosova kujtoi edhe 1,432 fëmijët e vrarë gjatë luftës. Ndër ta, më së shumti kishte fëmijë me emrin Burim, një emër që simbolizon jetën, por që u shua para kohe.
Për Burimat, Blertat e shumë emra të bukur që rriten në Kosovë, uroj që e ardhmja e tyre të jetë e ndritur!
***
Pse tentohet të manipulohet me audiencën deri në këtë pikë?
Dje deputetja e Vetëvendosjes, Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Ekonomisë, tha se KEK-u si furnizues fundor ka siguruar çmim mesatar për 64 euro për megavat/orë – për çka i bëri thirrje ndërmarrjeve të furnizohen “në afat sa më të shkurtër” si pasojë e hyrjes në fuqi të të ashtuquajturit “treg të lirë” të energjisë.
Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve Vendorë shpjegoi se e vërteta qëndron ndryshe – se faturës përfundimtare të bizneseve i shtohen shumë e shumë kosto të tjera dhe se çmimi në bursë është vetëm një grackë.
Si kostoja e transportit ndërkufitar, kostoja e disbalancave, kostoja për energjinë e ripërtëritshme (BRE), tarifat për KOSTT dhe KEDS, marzha e fitimit e furnizuesit (minimum 10%) dhe TVSH 8%.
Vetëm për informatën tuaj, çmimi i sotëm në ora 21:00 në ALPEX arrin deri në 280€ për megavat.
***
Dje ishte dita e parë e gjysmës së vitit, uroj që gjysma e parë e vitit tënd të mbyllet bukur. Sepse ndonjëherë, nuk është e nevojshme që gjithçka të fillojë shkëlqyeshëm, mjafton që të përfundojë me paqe në shpirt. Nganjëherë kur thonë “çka dëshiron më së shumti?”, nuk më vjen ndër mend në sekondë, ama gjithmonë uroj që të jemi rehat me gjithçka që bëjmë!