Live Stories from Prishtina

LIVE

March 16, 2023

Autore: Rozafa Bashota

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Pikëpyetja është e vazhdueshme kur bëhet fjalë për planet jetësore.

Pothuajse të gjithë në një fazë jetësore e bëjmë një bisedë se “ku e shohim veten pas ca vitesh”, kur na kaplon ankthi apo thjesht dëshira për t’u ndjerë rehat me veten. Patjetër se duhet të ekzistojë një pasiguri e tillë, pasi që na nxitë ta arrijmë të pamundurën, por është e domosdoshme të mos jetë prezente në çdo moment.

Fraza “Jetoje momentin”, ka kuptim atëherë kur ti me të vërtetë je duke e përjetuar këtë gjendje.

Më poshtë, i kam potencuar 3 shembuj (që mendoj se janë esencial), për të kuptuar se nëse ajo që po bëni është e duhura për ju. (Editor’s note: Besoj instiktit tënd!)

E ke të paktën një qëllim sapo zgjohesh në mëngjes

Nëse për një periudhë të gjatë kohore e gjen veten duke hezituar të zgjohesh dhe duke menduar gjatë se çfarë qëllime i ke caktuar vetes, atëherë diçka nuk është në rregull. Të gjithë përjetojmë pakënaqësi, dhimbje dhe përtesa, por i kontrollojmë ato, me dëshirë apo pa dëshirë ato janë pjesë përbërëse e jona. Të kesh një synim ditor është një mekanizëm më i lehtë për ta menaxhuar ditën dhe përgjegjësitë tua. Çka konsiderohet synim? T’i përfundosh detyrat që të kanë mbetur në gjysmë; pastaj ta shkruash një to-do list dhe t’i rrumbullaksosh ato përgjatë ditës në mënyrë që të jesh koherent me planet tua; të bisedosh me veten dhe të reflektosh mbi mendimet tua të paktën pas çdo jave të ngarkuar në punë.

Nuk dua ta harroj pjesën që unë e konsideroj shumë të rëndësishme: të kujdesesh për mendjen tënde, emocionet tua, fizikun tënd. Këtë pjesë bëje prioritet dhe kujtesë ditore.

E do punën që bën

Nëse puna që e bën të emocionon, të nxitë të punosh akoma më shumë, të lodhë por nuk të lejon ta ndalosh hapin, je në rrugën e duhur. Si e kupton këtë? Nëse vullneti dhe motivi yt për t’i përfunduar detyrat e ditës është stabil dhe konsistent. Ngarkesat e përditshme mentale dhe ndjesitë tona të llojllojshme na shkaktojnë rrethana të palakmueshme, por jemi ne ata që duhet të dimë t’i përballojmë dhe të mos i fuqizojmë ato. Përkundër këtyre fakteve, ti zgjedhë t’i anashkalosh këto shqetësime (mos harro të merresh me to më vonë) dhe triumfon ta përfundosh punën me sukses. Është krejtësisht e natyrshme të mos jesh produktiv çdo ditë të jetës tënde, por mos e bëj shprehi zonën e komfortit.

E ke një vizion për të ardhmen

Realizimi i qëllimeve tua dhe dashuria ndaj gjërave që bën janë 2 komponentë mbizotërues të triumfit. Përderisa ti angazhohesh t’i fuqizosh aftësitë tua dhe punon për ta përmbushur misionin tënd si person, atëherë ti e ke një vizion në mendjen tënde. Një frazë që duhet të jetojë në mendjen e secilit prej nesh është: “What you work is what you get”.

Prandaj, ndërtoje veten çdo ditë nga pak dhe formoje ashtu siç ti gjithmonë ke ëndërruar. Është esenciale ta kuptosh se asnjë gjë e qëndrueshme nuk ndërtohet për një natë.