Live Stories from Prishtina

LIVE

July 10, 2024

Një vend ku mund ta shijosh një pamje të bukur është gjithashtu një vend ku mund të ulësh dhe të ëndërrosh për çdo gjë.

Vendet e bukura të bëjnë të kesh nostalgji për fëmijërinë, të zgjojnë emocione për ndjenja që qëndrojnë të fshehura diku thellë tek ne, si dhe të ndihmojnë të krijosh një pamje të cilën ndonjëherë e ke ëndërruar i vetëm.

Bukuri e veçantë mund të cilësohet një pamje piktoreske e natyrës së Kosovës, e cila të lejon të ëndërrosh për çdo gjë. Pyje, male, kodrina, peizazhi i të cilave arrin një bukuri ndryshe në çdo stinë.

E prekur nga dielli, nga bora, nga mjegulla dhe nga bryma, peizazhi i Parkut të Blinajës është një nga ato vendet e ëndrrave ku liria përjetohet ndryshe, pasi që ky vend të dhuron emocion ndryshe sa herë që e viziton.

32 kilometra larg nga Prishtina, i vendosur në jug-perëndim të kryeqytetit me një hapësirë prej 3 mijë hektarësh, Blinaja zotëron pjesën më të madhe të gjallesave të egra në Kosovë.

Edhe pse pjesë e mbrojtur dhe e menaxhuar nga shteti, ky park është një vend-gjueti me destinim të veçantë që nga viti 1955. I mbizotëruar nga lloji i drurit të blirit, parku mori emrin që posedon edhe tash, i quajtur Blinaja.

Vizita në këtë park dallon nga parqet e tjera.

Para se të marrësh një leje të veçantë për vizitë do të jeni gjithmonë nën përcjelljen e dikujt, prandaj duhet të jeni të përgatitur të qëndroni më të heshtur nëse doni të kapni panoramën e kafshëve të egra.

Zhurma e shqetëson faunën e egër të Blinajës.

I pasur me rreth 700 specie të llojeve të ndryshme, Blinaja veçohet nga prania e drerit, drerit lopatar, mufllonit, kaprollit autokton si dhe derrit të egër. Përveç llojeve të kafshëve të kultivuara, në këtë hapësirë gjenden edhe kafshë të tjera si ujku, dhelpra, vjedulla, macja e egër, e shpendë si shqiponja perandorake, thëllëza e gurëve, petriti i pulave, etj. Brenda vitit, gjatë stinëve të ndryshme, kohë pas kohe ndalojnë edhe shumë shpezë të tjera shtegtare.

Çfarë e veçon Blinajën është gjuetia. 

Mungesa e grabitqarëve e bën gjuetinë si mjetin kryesor për të kontrolluar numrin e kafshëve apo ruajtjen e ekuilibrit biologjik, duke mos lejuar shtimin e numrit të madh të kafshëve mbi ekuilibrin biologjik dhe mbi mundësitë premtuese për ushqim dhe ruajtjen e këtij ekosistemi posedues. E mbështjellur me reliev kodrinor, vizitën në Parkun e Blinajës do ta kurorëzoni pasi t’i keni parë 30 pendat ujëmbledhëse me qëllim të furnizimit me ujë gjatë gjithë kohës, të cilat gjatë verës thahen duke shkaktuar pamjen e kënetave.

Nëse ju jeni një adhurues i faunës së egër, ky park duhet të gjendet në listën e vizitës suaj. Sidoqoftë, kujdes me aparatin tuaj fotografik, pasi që zhurma mund të largojë kaprollin e shumëpritur për ta parë.