Arkiva
11 Mars, 2023
Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.
Veshja është një faktor i rëndësishëm, i cili shërben në prezantimin tonë vizuel, qoftë në ambientin e punës, ashtu edhe në përditshmërinë tonë.
Për ta plotësuar garderobën tuaj, njohja e stilit tënd është esenciale. Edhe koleksionet nga brendet e famshme iu ofrojnë mundësi për të përzgjedhur veshje, duke filluar nga stili casual deri tek ato classy.
Nëse nuk e keni mundësinë për të përzgjedhur veshjet e një brendi të shtrenjtë, atëherë ju mund t’i përdorni si inspirim dukjet e tyre duke bashkuar copëzat nga garderoba juaj.
Koleksioni vjeshtor i markës italiane Bottega Veneta këtë vit ofroi disa veshje nga ato më praktike deri tek ato më elegante. Sfilata filloi me disa xhinse “low waisted” dhe me një bluzë krahë-shkurtër të bardhë, teksa e theu dukjen e përditshmërisë me një çantë klasike ngjyrë bordo.
Koleksioni shoqërohet me “jumpsuits” nga lëkura ngjyrë bordo, ndërsa të njëjtin stil e ndjekin edhe fustanet e ngushta nga lëkura me një çarje në mesin e fustanit, me ngjyrë të gjelbër të errët, të cilat shoqërohen me çizme të gjata të lëkurës. I tërë koleksioni mbizotërohet nga ngjyrat e errëta, teksa inspirimi u ndërtua mbi “udhëtimet”, ku secili personazh pretendonte që po udhëtonte në një vend të caktuar, ku rrjedhimisht ekzistonin veshje të ndryshme për të gjitha vendet.
Ishin pulovrat me lara-lara që sollën sharmin e ngjyrave më të hapura dhe sensin e të punuarit me dorë. Suksesi i kohëve të fundit i brendit ka qenë për shkak të cilësisë së çantave dhe këpucëve të saj, të cilat viheshin në pah edhe në këtë koleksion, siç ishin çantat e mëdha nga lëkura me ngjyrë të bardhë, bordo, vjollcë e hapur dhe e gjelbër e errët. Po ashtu edhe me aksesorët, ku theksi ishte tek artizanalja.
Ndryshe nga Bottega, brendi francez Yves Saint Laurent, solli klasiken franceze prapë në modë. Ajo çka i bashkon dy brendet e lartpërmendura janë ngjyrat e errëta.
Fustane nga sateni me ngjyra të rënda dhe me shumë elegancë, si ajo e argjendit dhe e arit, përdorimi delikat i ngjyrës, krahët e mbuluar, xhaketat e gjata të viteve të ’30-ta dhe detajet e takeve janë ato që e karakterizojnë në këtë koleksion brendin Saint Laurent.
Fustanet e gjatë dhe të ngushtë me rrudha tek beli, me ngjyrë të zezë, kafe dhe të gjelbër të errët ishin ato që definuan bukurinë e klasikes në këtë koleksion. Fustanet nga sateni të veshur me pallto të shkurtër kanë bërë një kthesë që të bënë të mendosh se moda po shkon në një rrugë tjetër. Në të njejtën mënyrë, ky koleksion të jep një ndjenjë të tillë.