Live Stories from Prishtina

LIVE

March 10, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

E dëgjova një ditë fjalinë që “Pranvera është dëshmi që çdo gjë mund të nis nga fillimi”, dhe meqenëse jemi në muajin Mars, shënon ndryshimin zyrtar të stinëve, apo fillimin e pranverës në vetëm disa javë.

Por, para se t’i themi zyrtarisht lamtumirë dimrit, ka disa ngjarje emocionuese që ndodhin në qiellin e natës që duhet t’i dini. Një lidhje mahnitëse, kthimi i një ylli të ndritshëm dhe Hëna e re që do të shfaqen të gjitha së shpejti.

Gjatë Marsit, planetet si Mërkuri, Venusi, Jupiteri dhe ylli më i madh Dielli hyjnë tek Dashi; tek shenja e parë e zjarrit, duke na përgatitur për një territor të paeksploruar në muajt në vijim.

Shtrirja vizuale e Venusit dhe Jupiterit në fillim të muajit Mars na ka dhuruar udhëtime të fokusuara në lidhje, kënaqësi, gëzim dhe argëtim. Para pak ditësh patëm një paraqitje të hënës së plotë ose siç e quajnë edhe të tjerët si hëna e krimbit.

Meqenëse jemi nën shenjën e peshkut mund të ndodh që gjërat nëpër të cilat po kalojmë të jenë më emocionale. Më 11 mars, dy trupa qiellorë pozicionohen përnjëherësh në shenjat e tyre: Venusi planeti i dashurisë i cili për momentin gjendet në shenjën e Dashit, si dhe Marsi tek Binjakët.

Kjo mund të jetë dita perfekte për të pranuar një “date night” spontan e cila mund t’iu bëjë të bini në dashuri pa e vërejtur. Dashuria mund të jetë një aventurë sfiduese nëse jemi të gatshëm të rrezikojmë.

Më 14 mars, Marsi ndodhet në “mesin” e Binjakëve, si dhe Neptuni tek Peshqit. Kuptimi i “mesit” në astrologji: pozicionim i planeteve që nëknupton orientimin e shenjave drejt veprimit, si rezultat konflikti dhe tensioni janë të pranishëm midis planeteve të lartpërmendura.

Për shkak të këtij kalimi, kjo mund të jetë një ditë konfuzioni dhe ndjenjë e manipulimit përreth jush, gjë që do e bëjë më të vështirë besimin tek njerëzit, duke përfshirë edhe gjykimin tonë.

Më 16 Mars Venusi hyn në Dem. Kthim i shumëpritur i Demit në Venus, pasi planeti i kënaqësisë hyn tek një nga shenjat që sundon. Deri më 10 Prill, marrëdhëniet mes çifteve bëhen të qëndrueshme dhe më sensuale.

Më pas, ekuinoksi pranveror ndodh më 20 mars, ku do të priremi nga energjia e freskët, e mrekullueshme për t’u përdorur dhe për të vendosur synimet për pjesën tjetër të vitit 2023.

Pak ditë më vonë, të enjten më 23 mars, Plutoni do të hyjë tek Ujori, duke lënë shenjën e Bricjapit për herë të parë që nga qëndrimi i tij në vitin 2008-të. Plutoni, planeti i transformimit të plotë, i luftërave për pushtet, do të testojë ujërat në Ujor deri më 11 qershor, ndaj kushtoni vëmendje ndryshimeve që vini re gjatë kësaj kohe, personalisht dhe rreth jush.

Më në fund, më 25 mars, planeti Mars do të hyjë tek Gaforrja pas shtatë muajsh qëndrim tek shenja e Binjakëve, gjë që do të jetë një lehtësim për shumicën. Marsi rregullon aftësinë tonë për të marrë vendime dhe për të vepruar sipas tyre – gjatë kohës së tij tek Binjakët, andaj mund të jeni ndjerë të bllokuar vetëm mbi disa opsione të ndryshme. Kjo ndryshon kur Marsi hyn në Gaforre, një shenjë kardinale që njihet për inicimin.

Në përgjithësi, Marsi është një muaj i ngarkuar që për shumë njerëz do të ndihet si fillimi zyrtar i 2023-ës. Kushtoni vëmendje!