Dje n’Shqipëri / foto nga: my.albania__ ig
19 Qershor, 2026
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Shqipërinë tonë. Paper ndanë me ty!
Mirëmengjesi më i/e dashuri/a ime, më lejo që edhe këtë të premte, ta mbyllim javën së bashku, si shumë ditë të tjera tash e sa vite, po para se të t’i tregoj lajmet që përshkruan ditën në Shqipëri, më lejo ta them këtë:
Dil zot ëndërrave dhe ideve tua, aty qëndron e vërteta jote <3
Në vorbullën e realitetit tonë të përditshëm, shpesh nuk e vërejmë se dikush tjetër ende lufton për gjëra që ne i marrim si të mirëqena, e kam fjalën për një prej lajmeve që e lexova në “top media”.
Nëse po pyesni se ku ka përfunduar projekti i ujësjellësit në Kreshpan të Fierit, përgjigjja duket se po rrjedh diku tjetër. Mbi 300 familje vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa faturat vijnë aq me rregull sa që ja kalojnë edhe vetë ujit.
Banorët për top-in, thonë se në rastin më të mirë uji vjen për 20 minuta në ditë, ndërsa në disa lagje nuk vjen fare. Për të siguruar nevojat bazë, disa janë detyruar të transportojnë ujë me mjete bujqësore, madje edhe me gomar, ndërsa të tjerë mbështeten te autobotët privatë.
Megjithëse tubacionet janë shtruar prej kohësh dhe projekti i furnizimit me ujë ka nisur, ai ende nuk ka përfunduar. Ndërkohë, temperaturat rriten, burimet ekzistuese po shterojnë dhe banorët vazhdojnë të presin që nga rubinetat të dalë ujë e jo vetëm premtime.
***
Dje në Tiranë u mbajt dita e 19-të e protestës qytetare. Protestuesit u grumbulluan në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan në disa zona të kryeqytetit, duke kërkuar më shumë veprim nga institucionet kundër korrupsionit dhe përgjegjësi nga politika.
Gjatë marshimit, ata ndaluan pranë Kuvendit, Kryeministrisë dhe selisë së Partisë Demokratike. Para selisë së PD-së pati tensione verbale mes protestuesve dhe disa demokratëve, ndërsa qytetarët brohoritën slogane kundër figurave kryesore politike të vendit.
Protestës iu bashkuan edhe pesë deputetë të Partisë Demokratike, ndërsa aktivistët theksuan se lëvizja duhet të mbetet e pavarur nga partitë politike.
Në të njëjtën ditë, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një seancë parlamentare ku mazhoranca siguroi votat e nevojshme për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme.
Momente tensioni u regjistruan po aty, ku protestuesit reaguan ndaj pranisë së deputetit socialist, Ardit Bido, i cili bashkë me disa deputet të tjerë dolën në oborrin e Kuvendit pas seancës.
Bido, u pikas nga protestuesit, të cilët thërrisnin: “Turp, turp!”, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë për ta larguar.
Përderisa në seancë me 84 vota pro u miratua ligji për amnistinë, si dhe disa ndryshime në Kodin Rrugor. Gjithashtu u miratuan projektligje që lidhen me sektorin e energjisë elektrike, transportin e mallrave dhe funksionimin e institucioneve parlamentare. Ndërkohë, disa nisma të propozuara nga deputetë të opozitës nuk morën mbështetjen e shumicës dhe u rrëzuan në votim.
Kështu, dita e djeshme në Shqipëri u karakterizua nga një kombinim ngjarjesh që në qendër ndodhej protesta.

