Live Stories from Prishtina

LIVE

April 3, 2024

E kalojmë gjithë vitin duke punuar në mënyrë që gjatë verës të bëjmë një pushim të mirë, gjatë të cilit kemi dëshirë të relaksohemi dhe të mendojmë vetëm pozitivisht.

Për shumicën nga ne që jetojmë në Kosovë, destinacioni ynë perfekt vazhdon të jetë Shqipëria, vendi ynë fqinj ku flasim gjuhën e njëjtë dhe kemi traditat e ngjashme. Por, ajo çka na dallon është bregdeti të cilin (fatkeqësisht) ne nuk e kemi, mirëpo e shijojmë sa herë që e vizitojmë rivierën shqiptare.

Viteve të fundit, plazhet shqiptare kanë marrë vëmendje edhe nga turistët e huaj, kureshtja e të cilëve po shtohet çdo vit për vizitë. Ju që nuk e keni vizituar më parë bregdetin shqiptar, që ndoshta nuk ka qenë pjesë e preferencave tuaja, ne ju ftojmë t’i hidhni një sy propozimeve tona, bazuar në eksperiencë personale.

A hint: Disa prej tyre mund t’i vizitoni me një shumë simbolike.

Gjiri i Lalzit

Gjiri i Lalzit ndodhet në një nga zonat më të mirë ruajtura të detit Adriatik, afër qytetit të Durrësit. Plazhi që shtrihet nga Shën Pjetri deri në drejtim të Hamalles dhe Rrushkullit, ofron freskinë e detit fantastik me rërë të imët, me një peizazh ku grumbulli i pishave gërshetohet me shtatin e detit, gjë që e bën këtë vend të përshtatshëm për ata që duan të relaksohen pranë detit. I gjendur vetëm 25 kilometra larg Tiranës, banorë të qyteteve të afërta kanë mundësi të shkojnë për të bërë plazh brenda një dite dhe të kthehen prapë. E mira e plazheve në rivierën shqiptare është se të gjitha destinacionet të ofrojnë mundësinë për banime prej shtëpive private e deri tek hotelet luksoze. Teksa ju mund të zgjidhni edhe plazhe nga ato të thjeshtat që mund t’i mbajë xhepi i secilit.

Rana e Hedhun

Ndodhet në qytetin e Lezhës, pranë plazhit të Shëngjinit. Është vërtet një vend për të mos u humbur, komplet i paprekur dhe me një natyrë të virgjër. I tërë shpati i kodrës është i mbuluar me rërë saqë mbetesh vërtet i habitur sesi dunat e rërës mund të ndodhen dhe në Ballkan dhe jo vetëm në Saharet e famshme të Lindjes së Mesme. Majat e larta të dunës kanë menjëherë poshtë detin. Veçantia e këtij plazhi janë vendet të vogla ku rëra është komplet e zezë dhe shumica e pushuesve zgjedhin të lyejnë trupin pasi pretendohet se ka veti kuruese. Kur planifikoni të kaloni disa ditë, ju keni mundësi të shkoni në shtëpi private nëse doni t’i kaloni pushimet me më pak shpenzime por mund të gjeni edhe resorte luksoze të cilat janë shumë pranë detit. Pas ditës së gjatë në plazh, ju mund të shkoni në shëtitoren e Shëngjinit dhe t’i provoni akulloret e mbushura me qumësht.

Spille

Plazhi i Spillesë zë vendin e katërt nga 7 plazhet më të vizituara në ujërat e Adriatikut. 40.2 km larg qendrës së tij, qytetit të Tiranës, apo 1 orë e 15 minuta me veturë, Spille ka plazhin më të pastër në këtë rrethinë.

Me rërë të imët, ku ju nuk keni nevojë për sandale të veçanta për të mbrojtur këmbët. Uji është shumë i qetë, ka pak varka që lundrojnë dhe është vend i përshtatshëm edhe për fëmijë.

Përkundër faktit se një pjesë e konsiderueshme e plazhit është e zënë nga resorte, ka ende një zonë mjaft të madhe që është e zbrazët. Objektet e plazhit janë në dispozicion vetëm për vizitorët e zonës turistike. Lista e tyre përfshin shezllone dhe çadra, restorant plazhi, dhoma zhveshjeje, dushe, tualete. Si dhe, mund të bëni aktivitete të ndryshme si jetski dhe volejboll plazhi. Gjatë sezonit, kjo zonë plazhi mbikëqyret nga një roje plazhi.

Palasë

Kur flasim për Palasë, do të thotë se kemi kaluar në pjesën jugore të Shqipërisë dhe po shijojmë ujërat e detit Jon. Palasë është fshat në Himarë dhe ndodhet vetëm 13 kilometra larg qytetit të Vlorës, pranë Parkut Nacional të Llogorasë. Riviera shqiptare ka pjesë të cilat janë tërësisht luksoze dhe kjo e përfshin plazhin Palasë, e cila posedon një resort me vila të ndryshme të cilat sapo kanë përfunduar, vendpushimi i parë premium i krijuar në tokën shqiptare. Nëse dashuroni paqen mund të vendosni të kaloni tërë ditën në plazh dhe të notoni në ujërat e kristaltë të detit Jon, përndryshe nuk ka asgjë më të mirë se sa të zbuloni rrethinat. Në këtë rast të fundit, zgjedhja më e mirë, duke marrë parasysh afërsinë me plazhin e Palasë, është të vizitoni Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Shpella e Pëllumbave

Në veri të Himarës, anës detit në një plazh mes Jalës dhe Gjipesë, rreth 12 km larg Sarandës. është një shpellë tjetër e jashtëzakonshme në të cilën mund të hysh vetëm nga deti. Shpella e Pëllumbave, mjedisi i së cilës është i mahnitshëm dhe cilësohet si plazh ideal për të notuar i vetëm. Zakonisht vizitorët shkojnë me varka deri tek destinacioni, si dhe rekomandohet të merrni me vete peshqirët pasi që nuk ka çadra plazhi e as shezllone. Banorët e fshatrave përreth thonë se kjo shpellë interesante sipas legjendave besohet se dikur ka qenë strehë për piratët, si dhe udhëtarët që në antikitet. Shpella ka përmasa gjigante, është e freskët nga brenda dhe çdo gjë shkëlqen nga kaltërsia.

Plazhi i Pasqyrave

Nëse ju nuk jeni adhurues i plazheve me rërë, ne ju sugjerojmë një ndër plazhet më të bukura me gurë, i quajtur Plazhi i Pasqyrave apo ndryshe i njohur si Mirror Beach, plazh i cili konsiderohet si pjesë e cila u identifikua së pari nga turistët e huaj. I ndodhur në Ksamil, plazhi të dhuron privatësinë që të gjithë e kërkojmë. Duke qenë si një gji i mbrojtur nga shkëmbinjtë, erërat e forta që kapin nganjëherë bregun janë më të rralla në këtë anë. Plazhi është më larg se qendra e Ksamilit, ndaj duhet të shkoni me veturë. Banimet në këtë zonë janë të përshtatshme për të gjithë nga më e lira tek më e shtrenjta. Kurse përveç ushqimit të detit, nëse ju ka marrë malli për ‘sufllaqe’, ju mund t’i gjeni kudo në rrugët e Ksamilit.