Live Stories from Prishtina

LIVE

January 5, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Festat e fundvitit nuk janë e vetmja arsye për të vizituar një qytet të dekoruar bukur. Gjatë muajit të ftohtë të Janarit, ju mund të vizitoni vende që ju bëjnë të ndiheni ngrohtë.

Në të dy kryeqytetet tona shqiptare, në Prishtinë dhe Tiranë, dekoret dhe dritat festive do të qëndrojnë edhe në dy javët e para të Janarit, por edhe pa këto dekore, ju keni çka të vizitoni duke filluar nga kafja e mëngjesit e deri tek muzetë e shfaqjet teatrale.

Çka mund të vizitoni në Tiranë?

Sa u përket dekoreve dhe dritave, sheshi Skënderbej në Tiranë ende është i mbuluar prej tyre. Të shoqëruara me lojëra dhe shtëpiza të vogla, kjo hapësirë argëtuese natën grumbullon qindra njerëz të cilët shkojnë për të shijuar verën e nxehtë, çokollatën ose birrën e ftohtë.

Mëngjesin mund ta filloni me një kafe te Pazari i Ri, apo një drekë te Kalaja e Tiranës, e cila do t’iu shijojë shumë në këto ditë të ftohta Janari. Jepni ngjyra Janarit të zymtë duke vizituar muze, galeri arti, apo ndonjë shfaqje teatrale. Nëse jeni shpirt aventurier, zona e Shëngjergjit do t’iu befasojë në Janar, ku zakonisht Liqeni i Lepurit ngrin dhe mund të bëni ski në akull. Ndërsa, Mali me Gropa ofron pamje spektakolare në këtë muaj, ku qëndron i mbuluar me borë dhe të duket sikur je në një botë tjetër.

Për familjet, Mali i Dajtit është një mundësi më afër kryeqytetit, ku mund të argëtohet e gjithë familja duke luajtur me dëborë. Një ndër atraksionet natyrore të veçanta në Tiranë është dhe Syri i Ciklopit në fshatin Krrabë, ku vlen të vizitohet në çdo stinë. Për të kaluar fundjava familjare të ngrohta, ne ju sugjerojmë bujtinat e ndryshme nëpër fshtatrat e Tiranës, ku do t’iu mirëpresin me gatime tradicionale pranë zjarrit të ngrohtë të oxhakut.

Nëse jeni ngopur nga gatimet e Vitit të Ri plot kalori, ne ju rekomandojmë të ndryshoni pak shijen dhe të provoni sushi në SushiCo, apo edhe pastat dhe raviolit e pakrahasueshëm në Artigiano.

Po në Prishtinë?

Në Prishtinën tonë ende nuk e kemi shijuar borën e parë për këtë stinë, pra jemi ende në pritje. Por sheshet tona janë të dekoruara me drita dhe pemë Krishtlindjesh.

Një ndër rrugët kryesore Bulevardi Xhorxh Bush, është mbyllur për vetura që nga gjysma e Dhjetorit që lamë pas dhe është hapur “Verë n’Dimër” (shtëpiza të vogla të marra me qira nga lokalet e gastronomisë), ku do të qëndrojnë kështu edhe për këtë vikend. Andaj nëse doni ta ndjeni të ftohtin në hundë dhe të nxehtit në gishtërinjë, nxitoni për vizitë këto dy-tri ditë të mbetura. Çdo natë në këtë hapësirë dhurohet muzikë live nga grupet e qytetit në skenën e cila është vendosur në fillim të rrugës pranë Katedrales.

Shtëpizat e vogla, dhurojnë shërbimet nga më të ndryshmet, duke u nisur nga kiflet e vogla, kroasantet dhe biskotat në “Buka”, mëngjeset e lehta dhe çaj rusi në “Trosha”, pasta të nxehta dhe të ftohta në “Pasta Fasta”, hamburgera dhe mishra në skarë në “Sarajevë”, hot-doga e deri tek krepat me nutella në “Crepe Mania”, pastaj baret e birrave, rakisë e verës si Charlie Brown, Babel, Botin e Poem apo edhe shtëpizat për kafe dhe çokollatë të nxehtë si Prince Coffee Shop.

Me çmimin më të lirë por prej të cilës në këmbim fiton nxehjen e duarve, shërbehesh me një çaj i cili kushton 80 cent. Kafja dhe çokollata e nxehtë varion në çmime pak a shumë mesatare si në kafene, nga 1.20 deri në 1.50. Kurse, sa për ushqim çdo gjë varion nga 2.50 dhe më lartë.

Nëse mërziteni nga shtëpizat e vogla, gjë që nuk besoj që do të ndodhë pasi të shijoni ngrohtësinë mes njerëzve dhe të diellit, ju mund t’i provoni kafenetë e brendshme. Në pjesën e njohur si kafet e vogla në rrugën Fehmi Agani, ju mund të vizitoni “Tartine Deli” e cila me kopshtin e lezetshëm që posedon nga jashtë do t’iu rrëmbejë zemrën. I ngrohtë nga brenda dhe me mundësinë e vetëshërbimit, ne ju sugjerojmë t’i provoni mëngjeset apo brunch-in, duke porositur një sanduiç Croque Madame me një lëng portokalli dhe kombinimin perfekt për ëmbëlsirë, tart me limon dhe kafe të ftohtë me kokos (Erleta’s favorite), apo tortë me karrotë, duke e shoqëruar me kafe të ftohtë amerikane (Rozafa’s favorite).

Teksa jeni duke shijuar sheshin e zbukuruar në rrugën Qamil Hoxha, ju mund t’i provoni çajat më unik nga Remember Me. Me një kohëmatës pranë vetes, ju do ta përcjellni vetë kohën e përgatitjes së çajit. Propozimi im është çaj me dredhëz dhe mango, apo vetëm me dredhëz.

Me një hapësirë të ngrohtë brenda, ju keni mundësinë të shihni një hapësirë ekspozuese nga lulet e vogla të cilat janë edhe për t’u shitur.

Kur mendoni të largoheni pak nga grumbujt e njerëzve, udhëtoni pak kilometra më larg nga kryeqyteti dhe shijoni parkun e Gërmisë apo edhe liqenin e Badovcit.

Në këto ditë të ftohta dimri, të cilat njihen globalisht edhe si “ditët monotone” pas festave, ne ju sugjerojmë këto vende të cilat padyshim se do t’iu dhurojnë ndjesi të mira dhe të ngrohta.

Ne ju urojmë një vit sa më të mbarë, në të gjitha aspektet e jetës tuaj!