Dje n’Kosovë
4 Shkurt, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Një prej gjesteve më të sinqerta që njerëzit tregojnë është kur janë të durueshëm me ty, edhe pse ti je duke pasur një ditë shumë të keqe dhe nuk po sillesh mirë me të tjerët, por prapë ata të tregojnë mirëkuptim.
Në një botë ku problemet kryesore të Amerikës janë Meksika, Kanadaja dhe Kina, askujt s’do t’i binte ndër mend të shënonte kot cicërima për Kosovën. E megjithatë, një cicërimë nga Richard Grenell ka ngritur shumë pluhur e zhurmë në Kosovë.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen në Ballkan, por kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si demokratët, ashtu edhe republikanët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin, ashtu si edhe BE-ja dhe NATO-ja.
Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është më i afërt me SHBA-në sesa të gjitha qeveritë e mëparshme të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni.”
Në anën tjetër, Kurti në tubime flet sikur “bën be”, duke pretenduar se s’ka pasur qeveri që ka pasur marrëdhënie më të mira me Amerikën sesa qeveria e parë dhe e dytë e VV-së.
Ngjarjet e këtyre pesë ditëve të fundit mund të përcaktojnë fituesin për kryeministër. Nëse dalin më shumë skandale apo u jepet volum më i madh atyre, ajo mbetet të shihet, në varësi të performancës së secilës parti.
Disa tubime në disa qytete po mbushen aq shumë me njerëz, saqë duket sikur të njëjtët njerëz “kanë qejf të dëgjojnë programet e të gjitha partive politike”. Në Lipjan, për shembull, sa njerëz morën pjesë në tubimin e PDK-së e LDK-së, po aq edhe në atë të VV-së. Ka mbetur të shihet nëse do të ketë ndonjë koalicion mes partive apo jo.
Më në fund është ndarë projekti fitues për sallën e Baletit dhe Operas në Kosovë.
Ja çfarë ka thënë kryeministri Kurti në Facebook:
“Arkitekti i famshëm danez, Bjarke Ingels, me të cilin po fillon një epokë e re artistike për Kosovën. Pas 50 vitesh, shtëpia e re e institucioneve qendrore të arteve muzikore dhe skenike do t’i ofrojë Prishtinës një ikonë të munguar të arkitekturës bashkëkohore, duke e vendosur atë në lartësinë e hartës botërore të kulturës.”
Tani, kush e di kur do ta shohim të përfunduar këtë objekt.