Dje n’Kosovë
3 Shkurt, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Më i/e dashuri/a im/e, dua që këtë të hënë ta filloj ndryshe me ju, dua t’ju kthej pak në kohë. Imagjino sikur je duke ecur në dhomën ku je rritur dhe ulesh saktësisht në krevatin tënd. Çfarë do t’i thoshe vetes tënde të vogël? Sot, tani, pikërisht kur je duke i lexuar këta rreshta, çfarë do t’i thoshe?
Çfarë e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
Nga projekte dhe programe në vlerë afro 130 milionë euro nga Shtetet e Bashkuara për Kosovën, nuk dihet se sa janë shfrytëzuar deri tani e sa janë ngrirë pas vendimit të presidentit Donald Trump për t’i pezulluar ndihmat e huaja për një periudhë 3-mujore.
Grante dhe donacione për të mbështetur sistemin gjyqësor, transparencën dhe llogaridhënien qeveritare, si dhe për përmirësimin e tregut të energjisë, janë ngrirë pas vendimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të pezulluar për 90 ditë ndihmat për jashtë.
Fondet nga SHBA-ja në Kosovë kanë ardhur kryesisht nëpërmjet USAID-it.
Në gusht të vitit të kaluar, presidentja Vjosa Osmani nënshkroi një grant me këtë agjenci në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
24 milionë për gjyqësor, 26 milionë për vendimmarrje lokale, 12 milionë për energji dhe rreth 31 milionë euro të tjera. Nga këto 130 milionë, cilat kanë mbetur të ngrira?
Veç mos të pezullojnë ndonjë gjë tjetër njëherë?
***
Shumica e gjobave të Panelit Zgjedhor, sipas Demokracisë në Veprim, për këto zgjedhje janë dhënë për nxitje të urrejtjes, që përfshinjë deklaratat e politikanëve dhe simpatizantëve në tubime dhe media sociale. Megjithatë, ankesat që paraqiten në PZAP për shkeljen e rregullave të mirësjelljes zgjedhore në deklaratat e kandidatëve në televizione nuk trajtohen, por vetëm i dërgohen Komisionit të Pavarur të Mediave.
Po normal që nuk i shikon, ore! Rregullat e debatit i cakton vetë redaksia. Udhëheqësi i emisionit vendos kur ta ndalë debatin ose ta përjashtojë atë që përdor gjuhë fyese ose terma jo adekuat…
***
Nesër, nga ora 19:30, Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë shfaqjen Hope, në kuadër të Ditës Botërore kundër Kancerit. Sipas organizatorëve, HOPE është një “udhëtim emocional që trajton sfidën më të madhe të jetës: përballjen me një sëmundje të rëndë dhe luftën për të ruajtur shpresën.”
***