Dje n’Kosovë / foto: My Prishtina
4 Gusht, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Dera e LDK-së e “gjysmëhapur”, ndërsa PDK-ja dhe Aleanca ia kanë vendosur tabelën: “mos trokitni kot!”
LDK-ja mbetet e vetmja nga tri partitë opozitare që ende nuk e ka mbyllur derën për bashkëpunim me Vetëvendosjen. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, pritet të takohet sot me Albin Kurtin në një përpjekje të dytë për të gjetur një marrëveshje për formimin e institucioneve.
Ndërkohë, PDK-ja e ka refuzuar ftesën e VV-së, duke ritheksuar se do të mbetet në opozitë dhe se përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon partisë fituese. Edhe Aleanca nuk pranoi takimin, duke thënë se më parë pret përgjigje për gjashtë kushtet e saj strategjike dhe duke përjashtuar hyrjen në Qeveri.
Në anën tjetër, LDK-ja, pas rikonfirmimit të Abdixhikut në krye të partisë, ka vendosur që deputetët e saj të kontribuojnë në formimin e institucioneve, edhe pse brenda partisë ka pasur zëra kundër dialogut me Kurtin.
VV-ja ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18. Numrat mjaftojnë për të krijuar shumicën qeverisëse me mbështetjen e komuniteteve joshumicë, por zgjedhja e presidentit kërkon një konsensus më të gjerë. Konstituimi i Kuvendit është planifikuar më 6 gusht, duke e bërë javën vendimtare për skenën politike.
****
Në një varrezë masive të zbuluar në Jabukë të Zubin-Potokut janë gjetur mbetjet mortore të të paktën katër personave, të cilët dyshohet se janë viktima të luftës së fundit në Kosovë. Sipas ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, viktimat pas ekzekutimit ishin hedhur në një gropë qereçi.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur konfirmoi se mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime dhe identifikim përmes analizës së ADN-së. Gërmimet dhe zhvarrimet janë kryer nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera përkatëse.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet do të vazhdojnë në lokacionin e Jabukës, si dhe në Kalludër të Vogël, ku javën e kaluar u zbulua një tjetër varr masiv. Sipas Sveçlës, dy lokacionet ndodhen rreth 900 metra larg njëri-tjetrit.
Sveçla deklaroi se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për krimet. Ai gjithashtu i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të shtojë presionin ndaj Serbisë për të ndihmuar në zbardhjen e krimeve të luftës.
Poashtu, me 1 korrik 2016, pas gati 28 vjetësh nga fillimi i luftës u prezantua versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës në Kosovë, e cila përmban 13.277 emra. Sipas të dhënave, 11.407 persona janë vrarë, 242 kanë vdekur si pasojë e luftës dhe 1.578 rezultojnë të zhdukur me dhunë. Nga viktimat, 1.241 ishin fëmijë.

