Live Stories from Prishtina

LIVE

December 2, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, duhet të pajtohemi me faktin se moda përgjatë dekadave është rikthyer dhe ka mbajtur gjallë trendet ndër vite.

Këtë mund ta shohim me fillimin e viteve të ’50-ta, nga rikthimi i rrobave “old-school”, i xhemperëve me ngjyra të ndezura e deri tek një stil më modern në fund të viteve të 2000-ta. Shpesh është cilësuar se stili është i lidhur me identitetin, me atë se “ju jeni ajo çka vishni”. Pyetja është se a veshim ne rroba që janë në trend apo veshim rroba që na bëjnë të ndihemi rehat?. Që dikush ta kuptojë modën në gjendjen e saj aktuale, duhet të njohë dhe vlerësojë historinë e tendencës së modës gjatë dekadave.

Të kalojmë nëpër histori dhe të shikojmë se çka e ka karakterizuar modën ndër vite.

Vitet e 50-ta ishin një tregues i rritjes ekonomike. Pas Luftës së Dytë Botërore, konformiteti dhe konservatorizmi karakterizuan normat shoqërore gjatë kësaj kohe. Megjithatë, me një ideologji konservatore që drejtonte Shtetet e Bashkuara kishte vend për rebelim, e cila u shpreh përmes modës.

Kjo ishte një kohë e evolucionit të modës për burrat dhe gratë. Ndër veshjet më të njohura ishin bluzat e ngushta, jakat e rrumbullakëta për femra dhe kravatat e pantallonat high-waisted për meshkuj, e po ashtu edhe kapelat. Gratë frymëzoheshin nga aktorja Audrey Hepburn dhe nga flokët e saj të shkurtër që fshiheshin nën kapelën e vogël.

Sa i përket aksesorëve, një paketë cigare dhe kutia e saj ishin gjithçka që një person duhej të kishte, për t’u konsideruar si “trendy”.

Vitet e ’60-ta u shpallën si vitet e “turtlenecks”. Burra dhe gra, të gjithë kishin në gardërobën e tyre një bluzë “turtleneck”. Teksa konflikti i vazhdueshëm i SHBA-ve me Vietnamin ngjalli lëvizjen për të shfaqur kundërshtimin dhe lirinë, me anë të ngjyrosjes së kravatës, shiritave të kokës, këmishës, pantallonave, madje edhe këpucëve. Fundet në formë të zileve “bell bottom”, këmishat me lule, palltot me lesh dhe pantallonat e gjerë tek këmbët, e përshkruajnë më së miri modën e viteve të ’70-ve. Nga flokët e shkurta, tanimë femrat po preferonin flokët e gjata, ndërsa ngjyrat e zbehta po preferoheshin më shumë.

Fillimi i dekadës së re i viteve të ’80-ta, e vazhdoi modën e dekadës paraprake. Xhaketat dhe pantollat e lëkurës, të kombinuar me bluza me shkëlqim shiheshin kudo në rrugë dhe klube të natës. Si rrjedhojë, nëse ti nuk ke veshur asnjëherë pantallona “Zubaz” apo “Hammer”, gjasat që ti të mos ishe trendy ishin shumë të mëdha. Një kombinim mes xhinseve të grisura, bluze over-sized, dhe çizme Doc Martin, formonin stilin e titulluar “Grunge”, me të cilin shënojmë edhe hyrjen në vitet e ’90-ta, të cilat u ndikuan nga krijimi i shumtë i grupeve hip-hop.

Hyrja në vitet e 2000-ta shënoi një epokë krejtësisht ndryshe, e cila po rikthente trendet e dekadave të kaluara, xhinset “low-waisted”, maicat “crop-top”, të cilat i vazhduan edhe artistet si Britney Spears, Madona dhe Beyonce, të cilat u konsideruan si inspirim. Maicat, mbi të cilat kishte mbishkrime domethënëse si “Women Power”, “Equality” etj., ishte ajo çfarë po kërkohej dhe me anë të së cilës po protestohej për çështje të ndryshme aktuale.

Nga 2010-ta deri tek 2020-ta, pamë ndryshime të ndryshme dhe të shpejta. Rikthimi i pantallonave high-waisted i viteve të 50-ta, përdorimi i “oversized blazers”, korseteve dhe trikove me vija po karakterizojnë ditët e sotme.

E nëse sot dollapi juaj i rrobave është një kombinim i trendeve të dekadave të kaluara, vishni ato me vetëbesim të plotë. Mirëpo, gjithashtu ruani thjeshtësinë tuaj pasi që ajo gjithmonë karakterizohet si trendy.