Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Tetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Lexues i dashur, shto pak melodi në mendje teksa lexon këtë citim. “Çdo gjë kalon në jetë, ashtu si edhe dielli kur lind. Mbas diellit prap shi do të ketë, kështu është në të vërtetë”. Po pra, ashtu siç shkruhet edhe në rreshtat e këngës “Më lehtë pa dhimbje”. Me këtë mendim filloje të hënën.

Ç’ngjau dje në Kosovë?

***

Kur fushata e Lëvizjes Vetëvendosje po fokusohet në veri dhe në bindjen e tyre se do t’ia shohin “hajrin” rritjes së pagës minimale, opozita po i kundërshton këto bindje vetëm me akuza për korrupsion.

Më gjallë bre, ju lutem, mediat po e luajnë rolin e informuesit dhe të protestuesit karshi zhvillimeve të fundit, po opozita?? Kemi nevojë për diçka më kreative, diçka aq të thjeshtë sa t’ua hapë sytë të gjithëve që kemi probleme shumë më të mëdha, të cilat i hasim në përditshmëri.

U marrosëm duke u përsëritur çdo ditë.

***

Progres në dialog nuk ka, lehtësuesi i dialogut, Lajçak, ka bërë thirrje për seriozitet, teksa disa gjëra do të diskutohen më 24 tetor. Ndërsa vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 26 tetor në Kosovë, mos do të sjellë një miks zhvillimesh?

***

Me një postim në Instagram, presidenti serb Aleksandër Vuçiq paska kërkuar ndihmën e SHBA-së për serbët në veri.

“Shpreha shqetësimin tim për sfidat me të cilat po ballafaqohet populli serb çdo ditë”. Në një vend ku kjo pakicë vetë lëshon institucionet ku punonin, dhe më pas u dhurohet prapë mundësia për ripunësim, për çfarë sfidash flet presidenti?

***

Spitali i Mitrovicës ka mbyllur repartin e infektives! Nuk ka mjek, nuk ka infektolog. Si të ketë, kur edhe ata që janë kërkojnë mundësi punësimi në QKUK, e disa prej tyre madje kanë “ikur” jashtë vendit?

Pa repart të infektivit janë edhe Spitali i Ferizajit dhe ai i Vushtrrisë, ndërsa me nga një infektolog repartet funksionojnë në Gjakovë e Pejë.

***

Nuk kalon java dhe kalendari kulturor është vazhdimisht i pasur. Për pak javë në Kosovë do të fillojë festivali “ReMusica”. Nuk e di për ju, por personalisht, festivalet dhe mbrëmjet kulturore më shërbejnë për socializim dhe zgjerim të rrethit. Nëse nuk keni ndonjë plan, me “ReMusica” për katër ditë do të vijnë 200 pjesëmarrës, përfshirë artistë dhe festivale ndërkombëtare nga 12 shtete evropiane, direkt në Prishtinë dhe Prizren.

Ky edicion do të ketë një mision edukativ për muzikën dhe artin, duke promovuar shumëllojshmërinë si dhe gjithëpërfshirjen.

***

Unë them, i dashur lexues, të kemi shpresë tek jeta. Njësoj si përpjekja e një fëmije të vogël për t’ju kapur dorën.