N’Kosovë
20 Tetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Mirëmëngjes i dashur lexues, kjo e diel erdhi e rëndë mbi shpatullat e mia. Kisha një moment kur mora frymë aq thellë sa ndjeva një ftohtësi deri në palcë dhe e di që kjo do të më bëjë vetëm më të mirë. Për veten dhe rrethin!
Dje në Kosovë, dhe çfarë nënkuptojnë këto ngjarje për mua?
Të them të drejtën, m’u duk sikur do t’ju bezdisja me monotoni po të ndaja ngjarjet e së shtunës me ju, kur fokusi u orientua tek reality show BBVK.
Në një realitet ku ndoshta njerëzit do të përtojnë të ndjekin edhe programet e partive tani në parafushatë, kur në anën tjetër të peshores qëndron Big-u?
Çfarë dëshiron të lexosh, i dashur lexues? Jam i bindur që lajme të mira, por nuk mund ta ndryshoj realitetin që më godet edhe mua si pjesë e këtij vendi. Vendi ku rëndësia për termin “luftë hibride”, që shumica nuk e dinë as për çfarë e përdorin, do të ishte mirë të përqëndrohej tek kushtet në të cilat mbijeton populli ynë, ku secili funksionon me borxhe dhe kredi, ose ku paga-pagën nuk e pret.
Makineria e atyre që duan prodhim dhe rritje të mbështetësve është aq e shpejtë sa që muajt deri në zgjedhje vetëm do të dyfishojnë përkrahësit. E ne mbesim prapë në pritje të raporteve si ai i Bankës Botërore, sipas të cilit rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 3.8% këtë vit. Vetëm fjalët mund t’ju mashtrojnë, ky raport tregon se rritja mbështetet tek konsumi dhe ndërtimtaria, që burimin e kanë nga remitancat. Pra në Kosovë mungon paraja, nuk ka projekte të mëdha, nuk ka investime kapitale. Si të mos futemi në borxhe?
Ku janë rezultatet për pakënaqësitë e punëtorëve të KEK-ut, mjekëve që disa kryejnë operacione më shumë se të tjerët, arsimtarëve? Këto janë problemet tona, këtu duam zgjidhje.
“Royal Albert Hall” mori ngjyrën e kuqe dhe të zezë, kur në të shkëlqeu ylli i zhanrit disco-pop, Dua Lipa. Dhjetë vitet e saja të fundit, të mbushura me punë, përkushtim dhe vetëm përkushtim, tamam si një person që në shenjë ka virgjëreshën, ia vlejtën që ajo të kishte në dispozicion orkestrën “Heritage” prej 53 instrumentistësh, një kor prej 14 personash dhe band-in me shtatë anëtarë. Një interpretim magjepsës live. I urojmë “Duas së Kosovës” edhe shumë koncerte të mëdha si kjo.
I dashur lexues, lejo veten të marrësh pjesë aty ku mendon se ia vlen!