Dje n’Kosovë
12 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Për 10 vitet e fundit, sa herë jam parë në pasqyrë çdo mëngjes dhe kam pyetur veten: “Nëse sot do të ishte dita e fundit e jetës sime, a do të doja të bëja atë që do të bëj sot?”, dhe sa herë që përgjigjja ka qenë “jo” për shumë ditë me radhë, e di që duhet të ndryshoj diçka.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Me rritjen e çmimit të rrymës, veç sa iu futëm një krize më të madhe ekonomike, që do t’ia ndiejmë zhurmën menjëherë në maj. Kur të nisë rritja zinxhir e çmimeve, e kur kapaciteti ynë për të konsumuar na kufizohet edhe më shumë, nuk e di se çfarë masash duhet të merren që të marrim veten.
Për herë të tretë në katër vitet e fundit u rritën faturat e energjisë elektrike.
Dyfishimi i vlerës gjatë kësaj periudhe, të asaj që detyrohemi të paguajmë për rrymën e shpenzuar, ka së paku tri domethënie: shpërthim i inflacionit, vështirësim i kushteve të jetesës dhe rritje e varfërisë.
Të kota ishin protestat e qytetarëve. Kërkesat e tyre hasën në vesh të shurdhër. Edhe ajo kërkesë prej 15% shkoi, e dje u bë 16%. Ende nuk dihet kujt çka do t’i bie të paguajë.
***
Teksa vëmendja qëndron tek dita e martë!
LVV-ja nuk deklarohet as për emrin e kryeparlamentarit, as për mundësinë për ta krijuar qeverinë e re. Duket se çelësi është te NISMA Socialdemokrate dhe akomodimi i Duda Baljes dhe i Veton Berishës.
***
Përderisa autoritetet turke në Kosovë shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” e kishin kundërshtuar në hije, në Bosnjë-Hercegovinë kanë dalë hapur kundër saj. Ambasada e Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë i është adresuar me notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shteti. Dokumenti që ka datën e 10 prillit është cilësuar si “tepër urgjent”, dhe përmes tij kërkohet anulimi i shfaqjes nga Kosova, e paraparë të jepet në Sarajevë, pasi sipas njoftimit, ajo është “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”.
Teatri Kombëtar i Sarajevës ka paralajmëruar se nuk do t’i nënshtrohet presionit të Turqisë për ta anuluar shfaqjen nga Kosova, “Të gjashtët kundër Turqisë”. Është zotuar se shfaqja, me regji të Blerta Nezirajt dhe me tekst të Jeton Nezirajt, do të jepet ashtu siç është paraparë, të hënën, në kuadër të festivalit “Teatri regjional”.
***
Në fund të ditës, nuk mbetet shumë. Një dritë që zbehet mbi çati, një gotë uji mbi tavolinë, dhe një njeri që nuk ka humbur krejt shpresën. Edhe kur gjithçka bëhet më e shtrenjtë, më e vështirë, më e heshtur, ne prap i bëjmë gjërat që duhen bërë. Sepse kështu jetohet. Pa shumë fjalë. Pa shumë zhurmë.