Dje n’Kosovë
9 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, ti e meriton të jesh i emocionuar për gjërat që do të vijnë, ti meriton të dish për të gjitha mundësitë e mrekullueshme, që janë atje jashtë për ty dhe që mund të realizohen për ty. Është e vërtetë dhe maltretuese që vazhdimisht brengosesh dhe mendon që mund të mos ja dalësh apo që do të dështosh, por çdo kush që e sheh me admirim se çfarë ka arritur, njëherë ishte aty ku je ti.
***
Çka ndodhi të dielën në Kosovë?
Po, po … ishte një ditë që rezultati i lojës mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe të gjitha situatat brenda kësaj loje, u shpërndanë si epidemi negative përmes statuseve.
Na po më duket mendojmë që Shqipëria nuk di të sillet si shtet e mendojmë që ne dimë më mirë se ata!
Çfarë vetëbesimi!
Shqipëria është larg Bashkimit Evropian nja 3–4 vjet, ne jemi nën sanksione të Bashkimit Evropian. Shqipëria po shpërthen prej turistëve dhe në maj tek ta zbarkuan liderët botërorë e ne tash e 28 herë s’po mundemi me e zgjedhë një kryetar të Kuvendit (ndoshta sot edhe për herë të 29-të dështojmë), e ne prap kemi fytyrë t’i kallxojmë Shqipërisë çka me bo.
Tash, jashtë komenteve që secili po i jep për zhvillimin e lojës e për dëshirën me fitu.
Nëse qaq po na e nin për flamurin e UÇK-së dhe mënyrën si e larguan, pse nuk reagojshin në të njëjtën formë kur në institucionet tona shtetërore emblema e UÇK-së u vendoske mbi guaskën e toaletit?
E për emocionet e lojtarëve a keni mendu, presionin, të kaluarën, ecurinë e lojës në 2014-ën?
Është shumë lehtë të kërkosh fajtorin. Në 10 vitet e fundit Shqipëria është kualifikuar dy herë për Kampionat Evropian, ama ne prap gjejmë hapësirë për të gjykuar.
Po bre është dashtë më shumë emocion, po është dashtë me dhënë penalltinë Broja, po është dashtë Mirlind Dakun me vendos më herët në lojë… ama nuk është në dorën tonë, vendos tjetër kush, ashtu siç duhet edhe si e shohin të arsyeshme.
***
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe teksa udhëtonte me autobus me familjen nga Austria në Kosovë. Ndërkohë që Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë një kërkesë formale për informacione dhe është vënë në dijeni delegacioni i BE-së në Beograd, mbetet e paqartë baza ligjore e ndalimit dhe gjendja e z. Spahiu.
Ky ndalim vjen në një periudhë ku Serbia duket se po rritë presionin ndaj ish-pjesëtarëve të strukturave të sigurisë së Kosovës, përmes ndalimeve që më shumë ngjajnë me frikësime politike sesa me procedura të ndershme ligjore. Në mungesë të një reagimi të fortë ndërkombëtar dhe institucional, kjo praktikë rrezikon të përshkallëzojë tensionet në rajon dhe të vendosë precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
***
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot do të mbahet seanca e radhës në rastin “Banjska”.
Në seancën e fundit më 17 prill, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radojçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radojçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
***
Mbaje mend këtë, ndoshta edhe lojatrit të kombëtaresë së Shqipërisë, Rey Manes do t’i shërbente po ta dëgjonte:
Nuk ka nevojë të arrish një variant perfekt të vetes për të qenë i denjë. Ti nuk je një projekt që duhet të përfundohet përpara se të duash dhe të duheni. Dashuria dhe gëzimi nuk janë shpërblime për një performancë ideale – ato janë të drejtat e tua që nga tani, siç je, me gjithë papërsosmëritë e tua!