Dje n’Kosovë
10 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Një herë një i moshuar e paska pyetur një kopshtar të famshëm: pse lulet dhe bimët në kopshtin tënd rriten kaq lehtë dhe janë kaq të bukura?
Kopshtari qenka përgjigjur: nuk e sforcoj rritjen e tyre, thjeshtë largoj gjërat që nuk i lejojnë të rriten!
Po… miku im pa emër, lexo edhe njëherë për ta kuptuar!
***
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Kur gjithçka shndërrohet në një katrahur të vërtetë, është e vështirë të kuptosh cila ka rëndësi më të madhe dhe vlerë poashtu!
Dje presidentja e vendit shpalli datën e zgjedhjeve lokale, më 12 tetor 2025. I erdhi rendi kryetarit të komunës, i erdhi rendi edhe atij deputetit që duke e pa situatën me Kuvend të Kosovës e ka vërejtur që s’është bash situatë e lakmueshme, e ka thanë “hajt t’kandidoj për kryetar t’komunës”, që bohna, bohna. Që jo, shnosh… kthehna deputet (ka raste që pasi kanë shpallur kandidaturën për kryetar nuk janë kthyer më).
Po hala në tavolinë është ky opsion për dy palë zgjedhje përnjëherë, lokale e nacionale. Ama kjo punë s’është bash e lehtë se për çdo opsion duhet konstituimi i Kuvendit, e kjo punë edhe po shihet çysh po ec.
***
Reagimet i kemi vetëm për rrjete sociale, për konferenca për media amo ma larg nuk shkojmë ose të paktën me aq sa tregohet.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Kosovës, Arbnor Spahiu u ndalua të dielën nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, e më pas u dërgua në qendrën e ndalimit në Kanjizhë.
Gjatë ditës së djeshme, Spahiu ka dalë para Gjykatës Komunale të Kikindës, ku u bë e ditur se Arbnor Spahiu është ndaluar me 1 muaj paraburgim nga autoritetet serbe.
***
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i kishte ra në mend me vlerësu punimet e shpejta që janë bërë tek kanali i Ibër-Lepencit, prej sulmit që i është shkaktuar vitin e kaluar.
Dje ish dalë pak për vizitë tek hapësirat e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike Ibër-Lepenci, pranë Liqenit të Ujmanit, e rrugës pak ish ndalë edhe tek zyret e PDK-së në Mitrovicë.
T’paktën veturat e tij ishin pa aty.
***
Ndërsa zhurma më e madhe për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë është dëgjuar nga sektori privat, ndërmarrjet publike kanë hyrë në këtë proces pa shumë bujë, por jo pa pasoja.
Me çmime të tregut që nuk do të rregullohen më nga shteti dhe me kosto të reja energjetike që priten, pyetja kryesore që shtrohet është: a do të rriten çmimet e shërbimeve publike që qytetarët i marrin çdo ditë?
Aktualisht, në vend funksionojnë 18 ndërmarrje publike qendrore dhe rajonale, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm si: energjia, transporti, telekomunikacioni, shërbimet postare, menaxhimi i mbeturinave, ujësjellësi e të tjera.
Përveç tyre, sipas Institutit për Hulumtime të Avancuara – GAP, ekzistojnë edhe 55 ndërmarrje publike lokale.
Vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të liberalizimit, së paku dy kompani prodhuese i kanë pezulluar operacionet, duke përmendur si arsye kostot e larta të energjisë elektrike. Institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime.
Hajt Kosovë, hajt!
***
Dje në Teatrin Kombëtar nga ora 20:00 u dha shfaqja “Bouncers”. Një shfaqje dinamike dhe koxha satirike, që solli jetën e natës përmes syve të katër rojeve të sigurimit medemek bouncerave. Me humor të zi dhe ritëm të shpejtë, nën regjinë e Kastriot Saqipit, shfaqja u interpretua nga aktorët Bleron Hevziu, Erio Fetahu, Venera Bojaj dhe Muhemet Tërtini.
“Bouncers” preku me finesë temat e maskulinitetit, shoqërisë konsumatore dhe hipokrizisë sociale, duke e bërë publikun të qeshë, por edhe të reflektojë.
***
Shpesh mundohemi të bindim veten që po keqkuptojmë dikë, që ndoshta po jemi tepër emocionalë, që duhet të japim më shumë kohë. Por e vërteta është se energjia e njerëzve rrallëherë është e paqëllimshme. Kur dikush flet me dashuri, por trupi i tij refuzon të afrohet. Kur dikush premton, por sytë nuk e ndjekin fjalën. Kur dikush buzëqesh, por prania e tij ndjehet si mungesë – ndjenja jote ka më shumë peshë se çdo fjali.
Po, njerëzit mund të të mashtrojnë. Por intuita jote jo.