Live Stories from Prishtina

LIVE

February 4, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Të gjithë e kemi një vend të preferuar në shtëpinë tonë që na bën të ndihemi më mirë, e cila patjetër se ndërlidhet edhe me preferencat tona, me atë se çfarë ne pëlqejmë të bëjmë.

Kuzhina njihet si zemra e shtëpisë dhe mbase ambienti i vetëm i cili bashkon familjen. Shumë shpesh kemi dëgjuar të thonë se gatimi është si lojë e fëmijëve dhe njëkohësisht gëzim i të rriturve. I cilësuar si një akt dashurie, të cilin për ta ekzekutuar në mënyrë perfekte nevojitet një ambient i këndshëm dhe praktik.

Ju mund ta mendoni kuzhinën si një hapësirë ku vetëm gatuajmë, por ndjenjat që t’i dhuron kuzhina janë nostalgjike, të paharrueshme dhe shumë shpesh frymëzuese për të gatuar një “vepër” të artit.

Por, sa ka ndryshuar dizajni i këtij ambienti ndër vite? 

Ajo çka në fakt ka ndryshuar është vetë koncepti i kuzhinës. I cilësuar dikur si vetëm një ambient i ngrënies, sot kuzhina shikohet si një nga hapësirat që perceptohet të jetë praktik për gatim dhe e bukur për syrin.

Sot do të bëjmë një krahasim të kuzhinave brenda dy shekujve, duke filluar nga vitet e 50-ta e deri tek ditët e sotme, duke u bazuar në artikullin e Kitchen Plus Bath.

Kuzhinat në dekadat e fundit kanë ndryshuar dhe janë rikthyer siç kanë qenë në të kaluarën, duke ruajtur formën e tyre. Gjatë viteve të 50-ta, në kuzhina përdoreshin ngjyrat pastel të ndritshme dhe linoleumin shumëngjyrësh, duke krijuar hapësira më të ndritshme. Ndërsa, dominonin elementet si furra të ndërtuara me tulla dhe pajisjet me gaz. Gjatë kësaj kohe kishte një gamë të gjerë stilesh kuzhine, duke filluar nga elegante, klasike dhe ato të punuara me dorë (e tëra me dru). Ndërkohë, druri përdorej zakonisht për kuzhinat e vilave, teksa tek kuzhinat moderne mbizotëronin dollapë dhe pajisje të bardha. Ajo çka i karakterizonte kuzhinat e viteve të 50-ta ishte dizajnin gjeometrik dhe dyshemetë me kuadrate.

Vite më vonë kuzhinat filluan të karakterizoheshin nga ngjyra të ndezura, nga portokallia tek jeshilja. Nga dollapët me ngjyra të ndezura e deri te tapetet me lule, kuzhina ishte një hapësirë plot dritë, të cilat përqendroheshin në  dru dhe në stilin e fshatit.

Ndryshe nga vitet e ’50-ta dhe të ’60-ta, kuzhinat gjatë viteve të ’70-ta dhe të ’80-ta ishin me ngjyra më të qeta se dy dekadat e mëparshme. Ato miratuan konceptin “euro-style”, i cili ishte si një kabinet i bardhë me copa zbukurimi prej druri.  Një tjetër koncept i njohur i dizajnit ishin dollapët pa doreza, për t’i dhënë kuzhinës një pamje të qetë dhe të kombinuar. Tavolinat e ngrënies vinin pothuajse në tre zgjedhje, pllakë të bardhë, gurë mermeri dhe gur i thjeshtë. Kuzhinat filluan përdorimin e shkronjës U, e njohur ndryshe si “kuzhina e Fildishtë”, ndërsa i shtuan një pjesë ndihmëse si depo në anën e djathtë të frigoriferit, pasi shumë familje kishin nevojë për një hapësirë më të madhe për të ruajtur mallrat e tyre të thata. Vitet e ’90-ta sollën ndryshim drastik për kuzhinën dhe ngjyrat bronz ishin kudo. Kuzhinat filluan adoptimin e ishujve në dizajnet e tyre, pasi që konsideroheshin si hapësira që bashkonin miqtë dhe familjen.

Hyrja në vitet e 2000-ta tregon fillimin e kuzhinave moderne apo bashkëkohore, që vënin në theks krijimin e hapësirave të hapura. Dritare të mëdha pranë rubinetit dhe ndriçim të mjaftueshëm, të cilat shërbenin edhe për mbajtjen e luleve.

Teksa sot në vitin 2022 është kthyer përdorimi i gurit mermer në hapësirat e gatimit, ishuj nga guri, si dhe vendosja e enëve të kuzhinës në hapësira ekspozuese në hapësirën mbajtëse lart ishullit.

Si përfundim, nëse kthehemi në kohë, ky vit po rikthen kuzhinën e viteve të ’70-ta. Prandaj, nëse jeni në dilemë lidhur me përzgjedhjen tuaj të kuzhinës, ne ju rekomandojmë të zgjedhni klasiken.