N’Kosovë
September 30, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
I dashur lexues/e, a e di cila është një fjali që më pëlqen shumë? “Mos u mundo që të jesh i pëlqyeshëm dhe pranueshëm nga të gjithë. Sepse as ty nuk të pëlqejnë të gjithë.”
Meqenëse jo gjithçka na duket tamam, të shohim me cilat lajme u mbyll kjo javë e fundit e shtatorit.
***
Një objekt i derivateve, që së fundi shfrytëzohej nga një pronar shqiptar, është goditur me një mjet shpërthyes në orët e para të së dielës në Zveçan. A dihet që ky krim është kryer nga grupet kriminale? Çfarë do të prodhojnë për ne këto veprime të këtyre grupeve? A duhet institucioni politik të rikonceptojë strategjinë për veriun në formën e avokimit në nivel ndërkombëtar? A i intereson Serbisë, nëse një gjë e tillë është shkaktuar nga serbët e veriut? Jo aspak, gjithsesi pakica serbe në veri është vetëm një mjet shfrytëzues i Vuçiqit.
***
Në Amerikë po vazhdojnë takimet dhe vizitat ndërkombëtare të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani. Kurti ka mbajtur një fjalim në takimin me bashkatdhetarët në shoqatën shqiptaro-amerikane nga New Jersey. Ai tha se ndërhyrja e NATO-s dhe avionët e saj e çliruan Kosovën pas 87 vjetësh okupimi. Për fjalime që prekin zemrën e popullit, duhet t’ia japim dorën, më të afërt nuk ke ku gjen!
***
A e dini që buxheti i qeverisë së Kosovës për blerjen e librave ishte rreth 14 milionë euro, ndërsa shpenzimet për subvencionim i kushtuan 20 milionë euro? A nuk është keqpërdorim i parave të shtetit apo një tjetër keqmenaxhim nga ana e Ministrisë së Arsimit?
***
Festivali FemArt në edicionin e 12-të, përmes temës “MOTËRZIMI: n’Kohë Lufte dhe Paqe”, ka mbajtur programin e saj 5-ditor, i cili mbyllet sot. Gjatë këtyre ditëve janë mbajtur aktivitete të ndryshme që kanë simbolizuar temën dhe mesazhin përmes artit, si: balet, teatër, koncerte, shfaqje teatrore, filma dokumentarë dhe të shkurtër, punëtori, ekspozita, panele diskutimi, konferenca dhe ngjarje rrjetëzimi.
***
Meqenëse kemi hyrë në sezonin e shenjës astrologjike kardinale, Peshorja, e cila nënkupton fillimin e stinës së vjeshtës, ja një përshkrim se çfarë duhet të mbani në mend për këtë kohë: Në momentin që zgjeroni perspektivën tuaj, gjithçka brenda jetës tuaj ndryshon. Filloni të keni mendime të reja dhe të flisni fjali të reja. E shihni realitetin tuaj nga një perspektivë tjetër dhe qartësia zëvendëson konfuzionin. Pjekuria zëvendëson naivitetin. Është e rëndësishme të dëgjoni, pastaj të flisni.