Live Stories from Prishtina

LIVE

October 1, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty! 

I/E dashur lexues/e, shpresoj që jeta jote të jetë e mbushur me thënje “s’po më besohet që ia dola ta bëj këtë” më shumë se me thënje “duhej ta kisha bërë”. Me pak fjalë, më mirë të provosh sesa të mbetesh me peng.

Shumëçka për një të hënë në Kosovë!!

***

Mbi 80 mijë veta të punësuar në institucione publike kanë mbetur pa paga, megjithëse dje ka qenë dita e fundit e muajit.

A e dini sa i gjatë duket muaji kur një familje mbahet nga një rrogë? A e dini që prej këtyre 80 mijë vetave, janë mbi 200 mijë të tjerë përfshirë familjarë që mbesin pa të ardhura në fund të muajit? Gati një e katërta e popullsisë së Kosovës! A e dini si është të zgjohesh në mëngjesin e fillimit të muajit dhe të jesh në dilemë se a do të kesh mjaftueshëm para për t’ju ndarë fëmijëve?

Pagat nuk janë ekzekutuar as për familjet me skema sociale për këtë muaj.

Qeveria e Kosovës ka thënë se afati i fundit për ekzekutimin e pagave për zyrtarët publik është data 1, duke mos ofruar asnjë informacion shtesë për vonesat e pagave.

Ndërkaq, thuhet se ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, Nysret Koca, i ka skaduar mandati, dhe pa nënshkrimin e tij nuk mund të bëhet asnjë pagesë publike nga llogaritë e shtetit. Pse nuk mendohet më herët për një zgjidhje, kur dihet se kur skadon mandati i dikujt? Apo mos ndoshta është një testim tjetër?

Mbrëmë vonë, Ministria e Brendshme, përmes një deklarate publike, ka obliguar Ministrin e Financave për lëshimin e pagave pavarësisht problemeve administrative dhe mungesës së ushtruesit të detyrës!

Ministri i financave Hekuran Murati fliste për rregullimin e jetesës së qytetarëve të Kosovës, por pse po testohet durimi i tyre, pavarësisht që këto paga mund të dalin sot ose deri më 5 të muajit? A i fut kjo vonesë më shumë në borxh qytetarët e Kosovës? Po flasim për mësues, minatorë, sektorin e energjisë dhe shumë të tjerë!

***

Sa mund t’i shmangemi faktit që javën e kaluar është diskutuar për 10 milionë euro për fasule dhe gullash për kuzhinën e FSK-së, që është kërkuar të mbetet sekret shtetëror!

Ministria e Mbrojtjes, nga tetori i vitit 2023 deri në shtator 2024, ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të papërgjegjshme nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), e njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë me vlerë miliona euro dhe kanë të bëjnë me furnizimin me ushqim?! A nuk është e dyshimtë kjo ndjekje e procedurës për ushqim?

***

Për fund, pse presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, pavarësisht takimeve njëjavore në Amerikë, nuk u panë asnjëherë bashkë?

***

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka treguar se ka interes të lartë për artin ikonografik në Muzeun Kombëtar “Onufri”.

“Interesi i madh për këtë trashëgimi ka bërë të mundur që vetëm për muajin shtator, gati 20 mijë vizitorë të kenë admiruar thesaret që mban ky muze,” ka njoftuar Gonxhja, sipas Koha.net.

***

Sa zgjat durimi njerëzor, i dashur lexues? Sa?