Live Stories from Prishtina

LIVE

October 2, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty! 

Përderisa ti po bën punën tënde duke pasur dyshime në potencialin tënd, dikush tjetër po të vështron nga larg dhe po mendon me vete se si po ia del kaq mirë!

***

Përsëritja e pandërprerë e Serbisë se me njohjen e Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare, Karta e OKB-së dhe Rezoluta 1244, nuk është diçka e re. Por me kalimin e kohës mund të rritet numri i atyre që i besojnë kësaj, sepse nuk i dinë rrethanat se si u pavarësua Kosova.

Kryeministri Kurti, në Forumin e Varshavës për Siguri, pohoi se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për Kosovën dhe fqinjët në Ballkan, në fjalimin e tij.

Duke përmendur rastin e vitit të kaluar në Banjskë, ai tërhoqi analogji mes veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe Serbisë në Kosovë. Masat e marra në veri të vendit, Kurti i ka quajtur prosperitet për Kosovën dhe masa që shtojnë sigurinë.

Sipas raporteve për disponimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, në Serbi, vetëm 40 për qind e popullsisë është shprehur pro. Andaj, pse ky lobim kundër anëtarësimit të Kosovës në BE, kur tek ne 89 për qind kanë votuar pro anëtarësimit?

***

Muaji Rozë! Muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se kontrollet e shpeshta janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje. Drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurteshi, duke treguar për rastet në këtë klinikë, ka bërë thirrje për kontrolle të shpeshta.

Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë te gratë, por po prek edhe burrat. Çdo e teta grua në botë është e rrezikuar nga kjo sëmundje.

Sipas të dhënave zyrtare, në nëntë muajt e parë të këtij viti janë shënuar mbi 300 raste të reja të kancerit të gjirit në Kosovë.

***

Kantautorja e njohur për stilin e saj unik dhe mesazhet frymëzuese, Vjollca Robelli-Mripa, ka sjellë xhevahire të këngës shqipe në ritme jazzi. Ajo ka gërshetuar stilin modern dhe këtë ritëm në një koncert që ishte edhe edicioni përmbyllës i vitit të 12-të të festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt”.

E di sa e vështirë është për ty që të merresh me diçka me të cilën të tjerët nuk përballen, por më beso se njerëzit e tu më të dashur do të jenë gjithmonë pranë teje!