Dje n’Kosovë
10 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Mirëmëngjesi, lexues i dashur, e vetmja gjë që e kapërcen fatin e vështirë është puna e vështirë — sepse ndonëse nuk zgjedhim ku lindim, as cilat sfida na bien për hise, zgjedhja më e rëndësishme mbetet mënyra si u përgjigjemi atyre. Aty fillon ndryshimi.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Një ditë pa energji, vetëm një nga shtatë blloqet e dy termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës ishte funksional gjatë së mërkurës. Blloku B2, me kapacitet prej 250 megavatësh, doli jashtë operimit në orët e para të mëngjesit, për shkak të një avarie. Ekspertët thonë se këto ndërprerje nuk janë rastësi, por pasojë e një moskujdesi institucional që zgjat me vite.
***
Në Kaçanik, dita ishte përkujtimore. U nderuan dëshmorët dhe martirët e rënë 26 vjet më parë në Lagjen e Re dhe në Rakoc. Në homazhe mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi guximin dhe dashurinë për atdheun që lanë pas të rënët e Kaçanikut. Por gjithashtu e pranoi se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë mjaftueshëm për drejtësinë.
Kurti vizitoi edhe Kompleksin Memorial të varrezave të dëshmorëve, duke nënvizuar se përgjegjësia për të vërtetën është e përhershme — dhe se ajo i takon jo vetëm institucioneve, por edhe secilit prej nesh.
***
Ndërkohë, në Prishtinë mbretëron pritja. Pesë ditë deri në seancën konstituive, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk i ka siguruar votat për kryetarin e Kuvendit, as për formimin e Qeverisë. Qeveria e ardhshme — kushdo që e formon — duket se do të jetë jostabile, dhe përballë ka sfida të mëdha: zhvillim ekonomik, dialog, sanksione dhe një administratë amerikane me qasje të ashpër.
***
Në anën tjetër të qytetit, dritat e Armatës ndriçuan një tjetër botë. Këtë javë, ajo mirëpriti regjisorin autodidakt Tin Dirdamal, i njohur për “filmat e pamundur”. I lindur pranë kufirit SHBA–Meksikë, me formim në inxhinieri, Dirdamal mat suksesin e filmit sipas shkallës së braktisjes gjatë procesit — sa më shumë që largohet prej tij, aq më mirë.
Në Armatë, ai mbajti një workshop më 8 dhe 9 prill dhe shfaqi disa nga filmat e tij. Njëri prej tyre, “Saigon. Kosovo.”, na mbeti në mendje: një grua në Prishtinë pëson aksident dhe zgjohet duke folur vijetnamisht. Një ushtar amerikan, i plagosur në Vietnam, harron gjuhën e tij amtare. Një histori dashurie mes dy njerëzve që nuk do të takohen kurrë. Weird. Wonderful. Dhe thellësisht njerëzore.
***
Kreativiteti kurrë nuk shterret, lexues i dashur. Nuk është një burim që zvogëlohet, por një zjarr që ndizet çdo herë që i afrohesh. Çdo ide që e shpreh, çdo përpjekje për ta sjellë një vizion në jetë, i hap rrugë të tjerave. Veç vazhdo.